Arjeta, një zonjë nga Ferizaj i Kosovës rrëfeu tek Rudina historinë e djalit të saj që nuk ia doli dot të shpëtonte nga varësia prej substancave.
“Historia e djalit tim filloi para 5 vitesh, në moshën 14-vjeçare. Bëmë të gjitha përpjekjet. 4 vite luftë me beteja, disa beteja të suksesshme, pastaj vinte një ditë tjetër më e rëndë, derisa para 1 viti e gjysmë u nda nga jeta. Djali im ma tha vetë që abuzonte me substancat. Kishim raporte shumë të mira.
U ktheva një ditë nga puna dhe shkova në shtëpi. E pashë të mërzitur dhe më tha mami, unë jam keq dhe kam nevojë për ty. Kisha dyshime dhe e kishim diskutuar, por s`ma kishte pranuar. Më tha nuk ndihem mirë. Jam abuzues me shumë lloje substancash narkotike.
Gjeta forcë të qëndroja e fortë para tij, por shpirti m`u nda në miliona copa. Shpresoja të mos ishte abuzues, por vetëm përdorues.
E kisha vënë re që vinte vonë në shtëpi, kishte ndryshuar shoqërinë, kishte mungesa në shkollë, kishte ndryshime fiziologjike, që ishin shumë evidente. I bëra disa analiza, por vazhdoja t`ia mohoja vetes. Djali im ishte shumë i avancuar në kompjutera dhe teknologji. Kishte inteligjencë të lartë, por përdorimi i substancave shkakton paranojë dhe probleme të tjera mendore. Ai kishte lexuar diku që gjuhën e delfinëve e kishte zbuluar një përdorues droge. Iu fiksua se do lexonte mendjet e njerëzve duke konsumuar substanca.
U shtrua në një qendër për rehabilitim. Qëndruam bashkë dy javë atje, por nuk ishte e mjaftueshme. Një ditë u nisa për në Tiranë se kisha babain sëmurë dhe do i bëja një vizitë. Fola me të në telefon. Më mori në orën 9 të mëngjesit dhe më tha: Mami, mos ki merak se jam mirë. Ti si je? I thashë që isha mirë, që do kthehesha shpejt dhe do vazhdonim t`ia dilnim bashkë. Pas tre orësh më telefonoi një shoqja ime dhe më tha: Duhet të kthehesh se Riadi është keq. Më shkoi menjëherë mendja. E pyeta: Overdozë? Po, më tha. Makinën e ngisja vetë, isha me vajzën dhe prindërit e mi. Lutesha gjithë rrugën të mos ishte e vërtetë. Ftesa juaj sot më bëri të vija në Tiranë, se kisha dy vjet që nuk vija”, tregoi Arjeta.
Arjeta çoi në vend amanetin e djalit të saj që një ditë i kishte thënë se donte tia dilte për të qenë shembull për bashkëmoshatarët e tij dhe shokët e tjerë. “Unë dua të jem shembull. Dua tia dal dhe të pres të rinj të tjerë që tu jap forcë për tia dal”, i kishte thënë një ditë të ëmës teksa qëndronin në qendrën e rehabilitimit. Kështu Arjeta krijoi një qendër për t`u ardhur në ndihmë falas jo vetëm përdoruesve, por edhe prindërve të tyre. / Klan
