Është ndër urat më të vjetra të Mirditës që ruhet akoma (pjesërisht). Sipas traditës vendase, është ndërtuar për tu bashkuar luftëtarët e Gjergj Kastriotit me luftëtarët e Lek Dukagjinit.
Këtu kalonte rruga e rëndësishme që lidhte Shkodrën me Prizrenin, ose siç njihej ndryshe “Udha e Madhe”. Niste në Shkodër – Vau i Dejës – Ungrej – Simon – Shpal – Orosh – Fanë – Lumë – Prizren, e më tej drejt trevave e tjera të Dardanisë.
Sipas një dokumenti të vitit 1418, disa ura guri përgjatë lumit të Fanit ishin shkatërruar. Me mbështetjen e Andreas, Ipeshkëvit të Dioqezës së Arbërit, kishte filluar restaurimi i një ure mbi lumin e Fanit të Madh. Mbështetja e Ipeshkëvit të Arbërit për restaurimin e tyre, tregonte rëndësinë madhe që kishin këto segmente rrugore (rrugët që kalonin nëpër luginat e Fanit të Madh dhe Fanit të Vogël), për lidhjen e trevave perëndimore e qëndrore me trevat veriore e lindore.
Me sa duket, ura në Vaun e Madh, u rindërtua pjesërisht me dru mbi strukturën e vjetër prej guri.
