Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka sqaruar gjatë konferencës për media ngjarjen e ndodhur në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku tre zyrtarë të koalicionit VLEN nuk hynë në territorin shqiptar.
Sipas Hitës, në kufi janë paraqitur katër shtetas me qëllim për të hyrë në Shqipëri. Tre prej tyre ishin të pajisur me pasaporta diplomatike dhe nuk kishin asnjë pengesë ligjore për të vijuar udhëtimin, ndërsa personi i katërt nuk u lejua të hynte në territorin shqiptar për shkak të një pengese ligjore.
“Policia e Shtetit dhe kufitare është garant i zbatimit të ligjit. Dje në pikën e Qafë Thanës janë paraqitur katër shtetas, me qëllim për të kaluar në kufi. Tre prej tyre ishin me pasaporta diplomatike, u është bërë me dije se mund të vijojnë udhëtimin. Një person i shoqëruar së bashku me ta, që kishte pengesa të ligjshme në kufi, nuk ka mundur të udhëtojë drejt Republikës së Shqipërisë. Në këtë pikë edhe tre të tjerët nuk kanë pranuar të vijojnë udhëtimin dhe janë kthyer për në RMV”, deklaroi Hita.
Kreu i Policisë theksoi se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar, duke nënvizuar se kontrollet kufitare zbatohen në mënyrë të përditshme dhe në përputhje me ligjin.
“Nuk është rast i veçuar. Përgjatë vitit 2025 kemi kthyer 625 raste. 425 raste në gjashtëmujorin e parë të vitit. Është një punë e përditshme dhe nuk ka vend për panik apo të thuash që policia nuk ka kryer detyrën e saj”, u shpreh ai.
