Futbolli botëror mund të ndryshojë plotësisht nga ai që njohim ne dhe shohim thuajse ccdo javë në stadium apo nëpërmjet TV. Në Holandë po testohen 5 ndryshime madhore të cilat mendohet se do ta bënin këtë sport edhe më entuziazmues dhe spektakolar, ndonëse parashikohet që duhet pak kohë derisa të hyjnë në fuqi një apo shumë prej tyre.
Federata Holandeze e Futbollit, pas një takimi me homologët e saj të SHBA, Gjermani, Angli e Belgjikë, ka vendosur që në futbollin e fëmijëve dhe të rinjve të fillojë të aplikojë si testim disa rregulla të reja, për të parë nëse funksionojnë dhe sa impakt kanë mbi cilësinë e lojës si më poshtë:
Goditje me këmbë në vend të rivënies anësore – Topi do të kthehej në lojë sikur të ishte goditje dënimi.
Auto-pasim në goditjet e dënimit – Lojtar që gjuan mund të vendosë topin para e godasë, apo mund të ecë me të e pastaj gjuajë apo driblojë si opsion.
Ndëshkimet me kohë – Një tjetër hap për të qetësuar lojën. Dy lojtarëve që nervozohen u kursehet kartoni i kuq me një të verdhë të dytë duke i larguar nga fusha për 2, 5 apo 10 minuta.
Koha neto e lojës – Nuk do të ketë më shtesa. Do të përdoret i njëjti sistem si në futbollin amerikan, hokej apo basketboll, ku ora ndalet sapo ndërpritet loja efektive.
Mundësia për të ndërruar lojtarë e pakufizuar – Një trajner mund të ndryshojë lojtarë sa herë të dojë. Kjo do t’i jepte fund sistemit të 3 apo 4 ndërrimeve që aplikohet tani.
FIFA do të monitorojë zhvillimin e këtyre rregullave në futbollin e fëmijëve dhe të rinjve në Holandë, e më pas do të lejojë edhe testimin e tij në kategoritë e futbollit profesionist nëse e sheh të arsyeshme.