Londra dhe Parisi kanë qenë prej kohësh destinacionet e preferuara të udhëtarëve amerikanë.
Teksa ka shumë arsye se pse këto vende janë kaq të pëlqyera ka edhe shumë vende të tjera në zhvillim që pritet të tërheqin më shumë turistë në të ardhmen.
Ekspertët e udhëtimit japin parashikimet e tyre për destinacionet trend që do të jenë vitin e ardhshëm. Faqja amerikane “HuffPost” ka renditur 27 vende të cilat do jenë trend gjatë pushimeve të ardhshme,mes të cilave është përfshirë edhe vendi ynë.
Shqipëria mbetet ende një destinacion që nuk është shumë i njohur për udhëtarët e huaj, megjithëse me gjasa nuk do të jetë kështu në të ardhmen. Kjo është arsyeja pse një vend si Tirana mund të jetë destinacioni ideal për ata që kërkojnë diçka ndryshe.
“Shumica e udhëtarëve ende nuk e kanë zbuluar, por fluturimet dhe infrastruktura funksionojnë shumë mirë dhe ka më pak njerëz në krahasim me destinacionet në trend në Evropë si Italia, Greqia apo Portugalia,” –thotë Laura Lidnsay eksperte e udhëtimeve.
Plazhet e bukura të Rivierës Shqiptare dhe kostoja më e lirë e jetesës e bëjnë vendin tonë një destinacion perfekt për stinën e verës.
Jo vetëm natyra, por qytetet historike ja vlen që të eksplorohen nga udhëtarët. Gjatë kulmit të sezonit turistik ka një mori aktivitetesh përfshirë ngjarje të shumta muzikore për të rinjtë.
