Më 6 maj të vitit 2019 një shpërthim mine në Letoni i mori jetën nëntetares Zarife Hasanaj dhe katër ditë më vonë në spital edhe komandantit të Kontigjentit Klodian Tanushi. I plagosur në atë tragjedi mbeti reshteri Julian Kapaj.
Efektivët e FA-së ishin pjesë e misionit të NATO-s në Letoni në grupin xhenier për demontimin e minave luftarake.
“Një grup i kontigjentit të asgjesimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, sot në ora 9.10 (ora 10.10 me orën lokale) janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura. Ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve”, do të njoftonte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të asaj kohe, Bardhyl Kollçaku.
Nëntetarja Zarife Hasanaj humbi jetën në vend. Ndërsa Tanushi katër ditë më pas në spital.
Hasanaj dhe Tanushi u shpallën Dëshmorë të Atdheut.
Miqtë e thërrisnin Xipja nëntetaren Zarife Hasanaj. Bukuroshja shqiptare ishte bërë pjesë e misionit në Letoni që prej korrikut të 2018-tës, dhe për të ishte misioni i parë.
Major Tanushi ka lindur në Dibër më 31 tetor 1980. Është i martuar dhe babai i tre fëmijëve.
Në vitin 1999 ka përfunduar shkollën e mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në profilin Motorist Xhenerik. Nga viti 2000 deri në vitin 2003 ka ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake.
Ka kryer kurse funksional EOD Niveli I-rë “Për asgjësimin e municioneve me eksploziv”.
Ka marrë pjesë ne kursin “EUFOR Mine Avvareness Instructor Course”.
Pas përfundimit të Akademisë është titulluar oficer dhe me urdhër nr.9628 datë 18.09.2003 ka marrë gradën e Nëntogerit. Në vitin 2006 ka marrë gradën e Togerit, në vitin 2010 ka marrë gradën e Kapitenit dhe në vitin 2017 ka marrë gradën e Majorit.
Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra si: Komandant Toge, Komandant Kompanie, Shef Seksioni, Specialist Operacionesh. Aktualisht me detyrë Komandant i Togës së pare të EOD.
Në 20.12.2018 është dërguar me mision në Operacionin Ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni në përbërje të Grup-batalionit kanadez me detyrë Komandant i Kontigjentit shqiptar dhe përfaqësues i lartë ushtarak, me afat qëndrimi 6-mujor.
Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me Medaljen e “Karrierës” nga Komandanti i Forces, Medaljen e “Shërbimit” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Medalje shërbimi në Mision jashtë vendi si dhe Medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga Ministri i Mbrojtjes.
NDERIMET NE LETONI
Më 15 korrik 2019, një memorial kushtuar atyre që kanë dhënë jetën e tyre në shërbim të #eFP Letonisë, u zbulua përpara selisë së Grupit të Betejës. Monumenti përkujton Zarife Hasanaj dhe Klodian Tanushi, dy anëtarë të Forcave të Armatosura Shqiptare, të cilët paguan me jetë sakrificën.

“Ky gjest do t’i bëjë ata (familjet e Hasanaj dhe Tanushi) të ndihen më mirë duke e ditur se Klodiani dhe Zarife tani janë përgjithmonë pjesë e grupit të betejës eFP. Faleminderit miq. Faleminderit vëllezër”, është shprehur kapiteni Alfred Duraku, Përfaqësuesi i Shqipërisë.
CEREMONIA NE SHQIPERI
Të dy efektivët që humbën jetën në Letoni u përcollën në banesën e fundit me një ceremoni solemne siç e meritojnë Dëshmorët e Atdheut.

