Mediat ruse kanë zbardhur detaje të tjera në lidhje me vdekjen e katër rusëve në dhomën e saunës në hotelin “Gloria Palace” në Qerret. Shot shkruan se 58 vjeçarja Nataliia Burenkova ishte me kancer dhe për pasojë nuk është futur fare në xhakuzi, pasi nuk i lejohej.
Ajo ka qëndruar jashtë vaskës së nxehtë, në shezlong duke ngritur më shumë pikëpyetje mbi mënyrën apo arsyen e vdekjes së katër turistëve.
“Çfarë e pengoi 58-vjeçaren që ishte në një pozicion më të favorshëm se tre të tjerët që të kërkonte ndihmë?”- është pyetja që ngrenë mediat vendase.
Ngjarja e rëndë ndodhi një natë më parë në ambientet e hotel ‘Gloria Palace’. Dosja është në duart e hetuesve të Tiranës dhe dyshohet se kemi të bëjmë me vrasje.
