Zëdhënësja e PD, Floriana Garo mendon se një pjesë e problemit të gjendjes së opozitës vjen për shkak të mosreagimit të shoqërisë. Analiza e saj kundërshtohet nga pedagogia Iris Luarasi e cila thotë se njerëzit nuk kanë asnjë shpresë.
Në argumentin e saj në “Opinion”, Luarasi thotë se njerëzit hyjnë në politikë të varfër dhe dalin të pasur duke shkaktuar zhgënjim te njerëzit. Pedagogia kundërshton kategorikisht që masës t’i faturohet mosreagimi kur nuk kanë besim te politika.
Iris Luarasi: Unë mendoj që ata janë aq të zhgënjyer nga politika dhe patjetër që mendojnë që ikën një palë dhe ikën një tjetër por të dyja palët sillen njësoj por nuk kanë asnjë shpresë, edhe në momentin që do vinte Berisha në pushtet nuk do kishin asnjë shpresë. Të mbarojë pushteti i Ramës dhe të vijë pushteti i Berishës. Këta njerëzit që ishin të papunë, pa asnjë lloj shprese, befas i prek një shkop në kokë dhe bëhen të pasur, bëhen të motivuar politikisht? Jo. Njerëzit kanë kuptuar në 30 vite demokraci që politika në vendin tonë është totalisht një deja vu. Gjithë njerëzit hyjnë në politikë të varfër dhe dalin të pasur në Shqipëri dhe kjo është edhe djathtas, edhe majtas dhe është një zhgënjim për njerëzit. Këta njerëzit ngelen të varfër dhe tani ne u faturojmë atyre që nuk dinë të reagojnë? Për kë të reagojnë ata? Që të pasurohen këta njerëzit e tjerë?
Floriana Garo: Pse e shikon vetëm kështu ti?
Iris Luarasi: Kjo është ajo që mendoj unë. Ne nuk mund t’ua faturojmë njerëzve.
Floriana Garo: Atëherë të mos reagojnë, të vazhdojnë kështu se këtë po predikoni juve.
Iris Luarasi: Nuk mund t’ua faturojmë njerëzve se kjo është një polarizim dhe problem i madh i politikës në Shqipëri ka lidhje me polarizimin politik.
Luarasi shton se opozita ka qenë destruktive brenda saj për shkak të luftërave të brendshme. Braktisja e parlamentit dhe dorëzimi i bashkive janë disa nga gabimet që ajo rendit, të cilat opozita nuk duhet t’i kishte bërë për shkak të votës që populli i ka besuar.
Iris Luarasi: Në momentin që ti ia ke dhënë me dorën tënde këto, ti pret që të reagojë populli. Populli çfarë të bëjë? Populli ta ka dhënë votën, të ka thënë ty shko në parlament, ti shkon dorëzon karrigen e deputetit, shkon dorëzon bashkitë, ia lë të gjitha Ramës dhe pastaj e ka fajin populli. Unë nuk mendoj që populli në përgjithësi nuk ka mëkatet e veta por ti popullin e lë të varfër se këtu njerëzit e pasur në përgjithësi janë politikanët dhe jo vetëm që e lë të varfër, por e lë të emigrojë. Emigracioni patjetër që është një gjë e jashtëzakonshme por njerëzit ikin se nuk shohin shpresë për momentin, nuk e shohin te qeverisja, këta që udhëheqin tani jetët tona politike por nuk shohin as shpresë te opozita. Njerëzit pse ikin? Nuk është kaq e thjeshtë që të ikësh e të lësh vendin tënd. Në gjithë këtë histori ti shikon që këtu patjetër edukimi qytetar është i rëndësishëm dhe njerëzit duhet të edukohen në Shqipëri që politikëbërja është e rëndësishme dhe duhet të marrin pjesë, por në momentin që shikon sondazhe që janë të besueshme, që thonë mbështetja ndaj qeverisë është 50% por mbështetja ndaj opozitës është 20-30%, pastaj kjo është vrastare se ke një pozitë që ka 10 vjet në pushtet. Ti thua po çfarë ndodh në këtë vend? Kush e ka fajin në këtë?