Viktima e atentatit në Torino në gjendje stabël, i arrestuar më parë për trafik droge
Rexhep Uba, 48-vjeçari shqiptar i plagosur dje në Torino, është në gjendje të stabilizuar pas ndërhyrjes kirurgjikale, ndonëse mjekët janë të rezervuar për fatin e tij.
Lexo edhe:
Gjykata Administrative pushon padinë e ngritur ndaj AMT: Kjo është një fitore…
Ai u godit nga dy plumba, në gjoks e bark, ndërsa ishte duke ecur në rrugë.
Agresori u largua me vrap, i ndjekur nga vëllai i viktimës, dëshmitari i vetëm i ngjarjes.
Ai ishte në makinën ‘Fiat Panda’ të vëllait, të cilin po e priste në rrugë, sipas asaj që iu tha hetuesve. Midis Rexhepit dhe autorit shpërtheu një sherr e më pas ai e goditi dy herë me pistoletë, shkruan ‘Sky.it’.
Sipas autoriteteve italiane, Rexhep Uba vite më parë ka qenë i përfshirë në një hetim për trafikun e marijuanës nga Shqipëria në Torino.
U arrestua bashkë me persona të tjerë gjatë një operacioni që solli sekuestrimin e disa tonëve drogë të transportuara me një kamion TIR.
Lidhur me ngjarjen, mediat pasqyrojnë deklaratat e dy personave, të vëllait të 48-vjeçarit dhe efektivit të policisë që e ndihmoi. Ky i fundit shprehet se Rexhep Uba i ka thënë pasi është qëlluar me armë: ‘Nuk e di, nuk e di kush më qëlloi’.
Ndërkohë, i vëllai foli për një ‘sherr të rastësishëm në rrugë’ para të shtënave.
Megjithatë, siç raportojnë mediat lokale, Rexhep Uba ka precedentë në fushën e narkotikëve.
Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen ka marrë në shqyrtim pamjet e kamerave të sigurisë në zonë si dhe telefonat e dy vëllezërve.
Referuar të dhënave në mediat italiane, në vitin 2001 Rexhep Uba është arrestuar si pjesë e një grupi që merrej me trafik ndërkombëtar droge. Gjatë aksionit, u sekuestruan 1850 kg marijuhanë, por sipas raportimeve të kohës, grupi merrej dhe me trafik heroine, kokaine e armësh.
