Zbulohet emri i shenjestres se atentatit në Mamurras, ku 27-vjecari u qëllua me breshëri ndërsa po ecte me makinë, e Policia e mbajti fillimisht të fshehtë ngjarjen.
Atentati ka ndodhur në Mamurras, mbrëmjen e 3 tetorit ku është qëlluar me armë ndaj një automjeti në lëvizje.
Fillimisht, ngjarja nuk është bërë e ditur nga Policia, por më pas, me anë të një njoftimi thuhet se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, mbrëmjen e së enjtes. Shënjestër e atentatit ka qenë Kreshnik Pistja, 27 vjeç, banues në Mamurras.
I riu ka qenë duke lëvizur me automjetin e tij në autostradën e Mamurrasit, duke shkuar për në banesë, pranë stacionit të Trenit, në momentin kur është qëlluar me breshëri. Plumbat kanë mbërritur deri në sediljen e parë të pasagjerit, ndërsa Pistja nuk ka pësuar lëndime. Sipas burimeve, autorët i kishin zënë prite në rrugicën pranë shtëpisë dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit.
Por, Policia po heton mbi të kaluarën e tij për të hedhur më shumë dritë rreth ngjarjes, si dhe për të rënë në gjurmët e autorëve.
Kreshnik Pistja ka jetuar për disa kohë në Itali dhe po hetohet nëse është përfshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm, që më pas mund të ketë çuar në kryerjen e atentatit ndaj tij.
