Kërkesa e Viktor Ymerit, i akuzuar për vrasje, për të dalë nga ‘41 biss’, u shqyrtua ditën e djeshme në Gjykatën e Posaçme.
“Nuk e kuptoj arsyen përse SPAK më ka futur në ‘41 biss’ dhe përse trajtohem ndryshe nga të tjerët”, është shprehur Ymeri. Gjatë seancës me dyer të mbyllura, ai është shprehur se “kam tërë jetën burgjeve dhe më duket sikur nuk kam qenë ndonjëherë i lirë. Ato pak muaj që më nxorën jashtë burgut, më bënë shumë keq se m’u vërsul i gjithë shteti mbi shpinë derisa më gjetën një pretekst për të më futur prapë në burg. Më mirë të mos kisha dalë fare se nëse nuk do kisha dalë nuk do isha në këtë proces”. Gjatë këtyre akuzave dhe pasi nuk mundën ta qetësojnë, Gjykata ka urdhëruar Policinë ta largojnë të akuzuarin nga salla.
Në maj të këtij viti, ministri i Drejtësisë njoftoi se pranoi kërkesën e SPAK për të mbyllur në regjimin e ashpër ‘41 biss’ tre të burgosur që dyshohej se vazhdonin të mbanin kontakte me anëtarë të grupit jashtë qelive, mes tyre Ymerin. Vlonjati Viktor Ymeri, nën akuzë për vrasje dhe dy vëllezërve elbasanllinj, Eldi e Klement Çala, nën akuzë për grabitje me dhunë, ua ndërprenë komunikimi me të burgosurit e tjerë.
Viktor Ymeri, i njohur ndryshe dhe si “i forti i Vlorës”, bëri 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës. Pasi vuajti dënimin, Ymeri u lirua nga burgu në vitin 2019, por u rikthye sërish në burg në dhjetor të vitit 2020, pasi SPAK rihapi hetimet për dy ekzekutimet e bujshme në 2005-n, të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut.
Ymeri është konsideruar si i përfshirë në këto dy vrasje, për shkak se SPAK pretendoi se ka mundur të sigurojë dëshminë e një të dënuari tjetër për krime të rënda.