Ish zv. kryeministri Bashkim Kopliku është përcjellë për në banesën e fundit pasi ndërroi jetë i prekur nga koronavirusi.
Familjarë, miq, qytetarë dhe anëtarë të Partisë Demokratike, i dhanë sot lamtumirën e fundit ish-ministrit të Brendshëm, i cili ndërroi jetë në moshën 77-vjeçare. Homazhet në nder të Koplikut, i cili njihet nga të gjithë qytetarët durrsakë për kontributin e tij të çmuar, u mbajt në sheshin ‘Liria’ në Bashkinë e Durrësit.
Nevvs 24 bën të ditur se bashkëshortja e të ndjerit, Luljeta e cila qëndron në banesë për shkak se rezulton e infektuar me COVID, është shprehur mes dhimbjes thotë se nuk e di se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.
Ajo pohoi se Kopiku ishte shtruar në spitalin e Durrësit, ndërkohë që fëmijët kishin insistuar që ai të nisej për kurim në Breshia të Italisë. Pasi kishin porositur një charter, Luljeta Kopliku rrëfeu se mjeti i fluturimit ishte vonuar për të mbërritur në Rinas nga Turqia, ndërsa shton se dhe ambulanca kishte ardhur me vonesë në spitalin e Durrësit.
Sipas saj gjendja e 77-vjeçarit ishte e qëndrueshme, por për shkak se COVID i kishte prekur mushkëritë, kishte nevojë për oksigjen. Teksa rrëfen më tej ngjarjen, gruaja e Koplikut pohoi se ambulanca që e kishte transportuar drejt Rinasit (Në orën 16:00) nuk kishte pasur mjaftueshëm oksigjen. Mes të tjerash Luljeta Kopliku tregoi për Haxhiajn dhe bisedën e fundit me të shoqin, i cili i ishte ankuar se; “Nuk ngopem dot me oksigjen”. Ndërkohë që vetëm pas 30 minutash nisje për në Rinas, ajo ishte njoftuar nga personeli i avionit se Bashkim Kopliku kishte ndërruar jetë, ende pa hipur në bordin e mjetit fluturues.
Ndërkaq vajza e tij mes lotëve në ceremoninë e lamtumirës thotë se i ati nuk vdiq nga COVID-19 por nga pakujdesia e shtetit.
“E pabesueshme për të gjithë. Për ju ishte Bashkim Kopliku për mua ishte im atë. Sa i drejtë që ishte, sa shumë bënte për gjithë njerëzit. Nuk vdiq nga COVID-19, por nga pakujdesia e shtetit. Ndërroi jetë pasi nuk kishte oksigjen. Vdiq kur po e dërgonim në avion në Itali për kurim më të specializuar”, tha ajo.
