I mohohet lirimi me kusht autores së vrasjes së këngëtares amerikano-latine Selena Quintanilla-Perez, e njohur me emrin e artit si Selena.
Këngëtarja fituese e Grammy ishte 23 vjeç kur u qëllua dhe u vra nga Yolanda Saldivar, tani 64 vjeçe, në një motel në Teksas, më 31 Mars 1995. Saldivar ishte një nga mikeshat dhe punonjëset e Selenës dhe ishte akuzuar për përvetësim të mijëra dollarëve nga këngëtarja.

Familja e Selenës reagoi përmes një deklarate në Instagram për vendimin e autoriteteve të drejtësisë.
“Ndërsa asgjë nuk mund ta rikthejë Selenën, ky vendim ripohon se drejtësia vazhdon të qëndrojë për jetën e bukur që na u mor shumë shpejt nga ne dhe nga miliona fansa në mbarë botën”, thuhet në deklaratën e familjes Quintanilla.

Vdekja e Selenës është krahasuar me atë të personazheve të tjerë të rëndësishëm të botës së muzikës si John Lennon, Elvis Presley apo dhe me vrasjen e Presidentin Amerikan John F. Kennedy. Selena nuk ishte vetëm një këngëtare e suksesshme, por edhe një aktore e stiliste e cila ishte në hapat e para të një karriere mjaft premtuese.
Në nder të saj në vitin 1997, Warner Bros. realizoi filmin mbi jetën dhe karrierën e këngëtares së ndjerë, interpretuar nga këngëtarja dhe aktorja e famshme Jennifer Lopez.