Një burrë nga Michigan-i, zbuloi kohët e fundit një letër dashurie të një veterani të Forcave Ajrore. Ishte viti 2017, kur Rick Trojanowski, bleu një kuti të vjetër veglash në një ankand. Ky i fundit priti disa vite për të hapur kutinë dhe u habit nga ajo që gjeti brenda: një letër dashurie 70-vjeçare!
“Njerëzit nuk shkruajnë më gjëra të tilla në ditët e sotme. Është pothuajse si poezi“, u shpreh Trojanowski për FOX 17.
Letra e dashurisë ishte dërguar nga Cpl. Irvin G. Fleming, për Mary Lee Cribbs. Në të, ai ishte shprehur se nuk kishte pasur ‘haber’ nga Mary për pesë muaj – kjo për shkak të një mosmarrëveshje që kishte ndodhur mes tyre. Fleming i kërkoi një falje të madhe dhe i shprehu asaj dashurinë e tij të paepur, duke shkruar:
“Mary, kam shumë nevojë për ty… dhe e di që do të të dua gjithmonë!”
Fleming tregoi se sa ngadalë po kalonte koha e tij në ushtri pa dëgjuar nga Mary, duke shtuar se kur të kthehej në shtëpi pas shtatë muajsh, do të ishte dita më e lumtur e jetës së tij.
Ai e mbylli letrën duke i kërkuar Mary-t diçka që ia kishte kërkuar edhe më parë dhe me sa duket diçka që ajo kishte rënë dakord të martohej me të sapo të kthehej në shtëpi.
“Unë u përpoqa të bëj një kërkim të vogël në Facebook për të gjetur disa nga njerëzit e përfshirë në të,” tha Trojanowski, por fatkeqësisht nuk arriti t’i gjente dot. Ai shpreson se duke e bërë publike këtë histori, dikush mund ta lexojë dhe letra mund të përfundojë në duart e duhura.
“Unë me të vërtetë nuk kam ndonjë nevojë për këtë letër dhe nëse mund të gjejmë njerëzit të cilëve u përket, mendoj se do të ishte shumë e bukur për ta,” tha Trojanowski.