Rrëzimi i një skele nga një pallat në ndërtim i firmës Arlis ka plagosur dy kalimtarë. Mes të plagosurve është edhe bashkëshortja e ish-futbollistit të njohur, Bledi Shkëmbit, Imelda.
Shkëmbi, ish-kapiteni i ekipit të Skënderbeut, në një intervistë për TCH ka deklaruar se së bashku me avokatin, po merren me përgatitjen e dokumenteve, për të ngirtur padi ndaj firmës së ndërtimit.
Ai tha se deri në mesditë, përfaqësuesit e firmës Arlis nuk kanë kontaktuar askënd, për të mësuar për gjendjen shëndetësore të dy të plagosurve. Për incidentin e ndodhur në kryeqytet, janë arrestuar për veprën penale të shkeljes së rregullores në punë punëtori Elton Osmanllari, sipërmarrësi Erjon Kanto dhe inxhinieri i kompanisë Arlis, Zef Kalaj. Grupi i hetimit në terren ka arritur në përfundimin se të prangosurit nuk kanë zbatuar rregullat për të ruajtur as punëtorët dhe as kalimtarët.
Pas arrestimit të tre personave që punonin në kantierin e ndërtimit, vendi është boshatisur dhe puna është ndërprerë në kompleksin Arlis. Nga ana tjetër, dy të plagosurit ndodhen akoma në spital, ku po marrin ndihmë mjekësore.
