Shqiptarët punojnë në “shtëpitë e barit” në Britaninë e Madhe dhe ky është fakt. Pasi u pikas nga policia si mirëmbajtës i një ferme kanabisi, shqiptari Etmont Lika gjeti metodën epike për t’iu fshehur policisë. Ai tentoi të fshihej duke u ngjitur mbi çati. Autoritetet ranë në gjurmët e shtëpisë së barit, nga një kallëzim i një bravandreqësi të zonës. Teksa po ndërronte bravat e një prone ai vuri re se ishte një fermë droge.
I riu tentoi t’i fshihej policisë duke u ngjitur në një çati, por u kap dhe u arrestua. Si çdo i ri që zgjedh rrugën ilegale, Lika mbërriti në Britani nëpërmjet një varke përtej kanalit në shtator të vitit të kaluar, me shpresën për të fituar mundësi më të mira ekonomike. Lika tha se ka paguar 5000 euro për udhëtimin.
Avokatja e tij tha se klientit të saj iu ofruan 100 £ në ditë për të jetuar në pronë dhe u largua nga Shqipëria për arsye ekonomike. Ajo tha: “Ai dëshiron të punojë, por ai e di tani se duhet ta kishte bërë këtë përmes kanaleve të duhura“.
