Gjergj Cukali i arrestuar për vrasjen e ish policit Arben Bilali në janar të këtij viti është liruar nga burgu në 2017 me pretendimin se i rrezikohej jeta në ambiente të mbyllura.
Gazeta “Panorama” ka publikuar historikun e vendimeve të dhënë nga gjykatat shqiptare për Cukalin, i cili doli nga burgu ende pa u bërë viti i arrestimit si kreu i një grupi që shpërndante kokaine në Tiranë.
Kur u arrestua në korrik të vitit 2016, si drejtues i një grupi që shpërndante kokainë në Tiranë, askush nuk e mendonte se Gjergj Cukali mund ta fitonte lirinë për një kohë aq të shkurtër, siç kishte ndodhur në rastet e mëparshme
Pasi provoi dy shkallët e gjyqësorit duke kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë, me pretendimin se ishte shumë sëmurë, kërkesa iu pranua vetëm nga Gjykata e Lartë. Më 24 maj të vitit 2017, pa u mbushur ende një vit nga arrestimi, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi zëvendësimin e masës “Arrest me burg”, dhënë nga Shkalla e Parë dhe Apeli, duke e çuar në “Arrest shtëpie” me mbikëqyrje elektronike.
E sërish, pa u bërë një vit nga koha kur la qelinë, më 12 prill 2018 Cukali ra në pranga. Këtë herë, forcat operacionale të Policisë së Tiranës e gjetën atë në një lokal pranë ish-Ekspozitës, në një kohë kur duhej të qëndronte në shtëpi.
Një muaj pas arrestimit, Gjykata e dënoi me 3 muaj burg, që me gjykim të shkurtuar i shkoi në 2 muaj e në përfundim Gjykata urdhëroi lirimin, pasi masa e dënimit ishte ezauruar me kohën e paraburgimit. Ndërsa në dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Apelit vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe lënien e tij në liri me kusht për 24 muaj.
“Izolimi i të pandehurit nga shoqëria do të sillte një dëm shumë të madh në jetën e tij dhe të familjes së tij dhe nuk do të ndihmonte aspak në arritjen e qëllimit të dënimit, edukimin dhe rehabilitimin e tij”, arsyetonte Gjykata e Apelit.
SEMUNDJA DHE LIRIMI NE 2017
Gjergj Cukali ishte liruar nga qelia me një vendim të datës 24 maj 2017 të Gjykatës së Lartë, e cila u shpreh se 39- vjeçari do të qëndronte në “Arrest shtëpie” me mbikëqyrje elektronike, pasi vuante nga astma bronkiale në formë të rëndë. Ai kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” me një masë tjetër më të butë, siç është ajo “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje elektronike.
Kjo, për faktin se aktualisht nuk rrezikohet më marrja e provës dhe nuk ekziston rreziku i largimit të kërkuesit në gjendjen e rëndë shëndetësore që paraqet kërkuesi. “Sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor të hartuar nga ekspertët, rezultoi e provuar se: Kërkuesi është i diagnostikuar qysh në fëmijëri duke u trajtuar për sëmundjen astma bronkiale aktualisht në krizë (forma e rëndë) suspect (dyshim) për T.E.P (tromboemboli pulmonare), tendencë hyperkoagulimi me treguesin e D-Dimmer mbi shifrat normale; Sëmundja nga e cila vuan kërkuesi kërkon mobilizim në shtrat dhe observim dhe monitorim të parametrave jetësor në ICU (reanimacion), oksigjenoterapi dhe ambiente jo me lagështirë dhe të mbyllura, të cilat mund të përkeqësojnë situatën klinike të pacientit, si dhe qëndrim në kushte spitalore dhe monitorim i INR (niveli i Protrobinës).
Në qoftë se rekomandimet e përmendura më lart zbatohen me korrektësi, jeta e tij nuk rrezikohet; Sëmundja nga e cila vuan kërkuesi nuk mund të kurohet në ambientet e Institutit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale nga mjekët e këtij institucioni; Kushtet e izolimit në paraburgim ndikojnë negativisht në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të kërkuesit, duke sjellë për pasojë insuficiencë respiratore acutae (pamundësi të frymëshkëmbimit) ose tromboemboli pulmonare acuate.
Ndërlikimet e tromboembolisë mund të jenë vdekja e menjëhershme nga hypotendioni dhe insuficienca e ventrikulit të djathtë, zemra mushkërore kronike”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.
