Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Neos Kosmos në Athinë, ku një 29-vjeçar shqiptar dyshohet se ka rrahur për vdekje një 58-vjeçar grek pas një konflikti të çastit.
Prokuroria e Athinës ka ngritur ndaj tij akuzën për vrasje me dashje, ndërsa i riu pritet të dalë para gjyqtarit hetues për të dhënë dëshminë e tij. Media lokale “Zougla” shkruan se i riu shqiptar është arrestuar tri herë më parë për kundërvajtje penale, por për ato raste nuk është parashikuar masa e ndalimit.
Si ndodhi ngjarja?
Sipas medias greke, ngjarja ka ndodhur në dy faza. Fillimisht, në një palestër e cila frekuentohej nga 29-vjeçari, dyshohet se viktima kishte prekur motorin e tij, duke shkaktuar një përplasje të vogël verbale.
Pak më vonë, 58-vjeçari është rikthyer në vendin e ngjarjes dhe ka bllokuar me makinën e tij motorin e të riut, duke e penguar të largohej. Në atë moment, ai i ka hedhur spraj piperi dhe është përpjekur të largohet.
Pas kësaj, ka nisur një ndjekje nga 29-vjeçari, e cila ka përfunduar me përplasjen e makinës së viktimës. I riu i është afruar automjetit dhe ka nisur ta godasë me grushta në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Pamjet e ngjarjes, të publikuara në media greke, tregojnë dhunën e tmerrshme që ka ndodhur në mes të rrugës.
Banorët e zonës, të alarmuar nga zhurma, kanë dalë në ballkone dhe kanë parë momentin kur autori zbriste nga motori dhe sulmonte viktimën.
