Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takimin e radhës në qytetin e Çorovodës në Skrapar, ku u shpreh se kjo zonë do të kthehet në një model zhvillimi ekonomik dhe social.
Ai tha se i di për nder Ilir Metës që e ka njohur me kanionet e Skraparit, si një mrekulli natyrore që ai nuk e kishte njohur më parë. “Ia di për nder Ilir Metës që më ka sjellë dhe më ka treguar mrekullinë e kanioneve që nuk e kisha njohur më parë. Jam shumë i vetëdijshëm se çfarë potenciali i jashtëzakonshëm është kjo zonë për zhvillimin e turizmit, dhe përmes turizmit edhe zhvillimi i ekonomisë dhe mirëqenies së të gjithë atyre që kanë vendosur të jetojnë këtu”, tha Rama.
Ai pati dhe një thirrje për opozitën. “Ato forcat politike që janë mbledhur në fillin e mendjes së tij të marrë (për Sali Berishën) si kokrat e tespijeve të plakut Mere duhet të shpërbëhen duke dalë nga duart e tij dhe njëkohësisht duke i dhënë mundësinë të gjithë atyre që me gjithë të drejtën e tyre nuk na duan, nuk janë me PS që të ripërtërijnë udhëheqjen e tyre të falimentuar, të degraduar e të marrë fund. Një grusht kokrrash tespije që janë mbledhur si gjarpër në fytin e këtij vendi dhe që ky vend duhet t’i shkulë më 30 qershor”, tha Rama.
Duke qenë se Skrapari është një bashki historikisht e LSI-së, Rama tha se ata që punojnë në këtë institucion mos të kenë frikë se do të hiqen nga puna, por do të vlerësohen për profesionalizmin e tyre. “Kush ka kontribuar dhe kontribuon në bashkitë e vendit për arsye të zotësisë nuk duhet të ketë asnjë dyshim se jo vetëm që nuk do të largohet nga puna po do të vlerësohet edhe më mirë për punën që bën”, vijoi ai.
