Duket se ngjarja e Rinasit po shkon drejt zbardhjes së plotë teksa raportime të fundit flasin për një identifikim të bashkëpunëtorëve të Admir Muratajt, ku mes tyre thuhet se është dhe një ish-komando.
Report Tv thotë se dy autorë që janë identifikuar janë brenda territorit, ndërsa po mbahen në survjeim dhe në ditët e ardhshme pritet goditja e plotë e grupit kriminal.
Ndërsa gazeta “Panorama” shkruan se mes tyre është një ish-komando. ” Nga analizimi i pamjeve filmike dhe një fotografie që është shkrepur nga pasagjerët e avionit, i cili ishte gati për fluturim kur ndodhi grabitja, dyshohet se personi që shfaqet më afër Muratajt, me veprime aktive dhe i armatosur, është një ish-komando. Burimet thanë se veprimet e tij janë të ngjashme me ato të një ushtari profesionist, por gjithashtu edhe mënyra sesi e mban kallashnikovin”, shkruan gazeta.
Lexo edhe: Grabitja, ja si u paralajmërua dy vjet më parë dhe si u ça gardhi i Rinasit
Nga ana tjetër, burimet shtuan se nuk janë vetëm këto arsyet që i kanë shtyrë të dyshojnë për përfshirjen e një ish-ushtari të forcave Komando. Sipas tyre, duke bërë një analizë edhe të ngjarjeve të mëparshme, ku autorë të grabitjeve kanë qenë ish-komando, duket se Admir Murataj, i dyshuar si organizator i këtyre ngjarjeve, zgjedh si bashkëpunëtorë personat me përgatitje ushtarake.
Megjithatë, grupi hetimor po verifikon edhe persona të tjerë, ish-të dënuar për grabitje, brenda dhe jashtë vendit, nëse kanë marrë pjesë në ngjarjen e 9 prillit. Organizatori i kësaj grabitje, Admir Murataj mbeti i vrarë.