Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka gjobitur kompaninë “Gjikuria”, pasi ka konstatuar hedhjen e dherave dhe inerteve në krye të fshatit Dhërmi.
Në njoftimin e IKMT-së, thuhet se krahas gjobës, kompania ka detyrimin edhe të rehabilitojë zonën ku janë kryer depozitimet e inerteve.
Drejtoria Qendrore e IKMT-së njofton se kreu inspektim në zonën e Dhërmiut ku konstatoi një venddepozitim mbetjesh inerte dhe dhera të dala nga gërmimet në krye të fshatit.
Gjatë verifikimit të kryer, subjekti rezultoi se nuk ishte i pajisur me Leje Mjedisi të tipit B.
Sipas njoftimit, për shkak të këtyre shkeljeve të konstatuara, IKMT mori masën administrative dënim me gjobë në vlerën 1 milion lekë.
Gjithashtu u mor dhe masa plotësuese e pezullimit të aktivitetit deri në pajisjen me lejen përkatëse sipas legjislacionit. Kompanisë “Gjikuria” iu ngarkua edhe detyrimi për të eliminuar pasojat e shkaktuara në një afat të arsyeshëm, për të rehabilituar zonën ku janë kryer depozitimet e inerteve.
