Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur mëngjesin e kësaj të premteje aksionin në bregdetin e Jalës, në Vuno, ku është shembur një beach bar i ndërtuar pa leje përgjatë vijës bregdetare.
Sipas informacioneve paraprake, objekti ishte ngritur në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, duke sjellë ndërhyrjen e IKMT-së për prishjen e tij. Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit dhe u mbyll pa incidente.
Në fokus të kontrolleve janë edhe beach bar-e dhe struktura të tjera provizore me konstruksion të lehtë prej druri, të cilat, sipas autoriteteve, rezultojnë të ndërtuara pa leje dhe kanë zënë hapësira jashtë perimetrit të miratuar nga Bashkia për ushtrimin e aktivitetit.
Në terren ndodheshin edhe forcat e Policisë së Himarës, të cilat mbështetën zhvillimin e operacionit. Ndërkohë, një pjesë e pronarëve kanë nisur vetë çmontimin e disa prej strukturave përpara ndërhyrjes së mjeteve të IKMT-së.
Gjatë aksionit nuk është regjistruar asnjë incident apo kundërshtim nga pronarët ose persona të tjerë të pranishëm në zonë, ndërsa situata është zhvilluar në qetësi.
Burime nga terreni bëjnë me dije se kontrollet e IKMT-së do të vijojnë edhe gjatë orëve në vazhdim në objekte të tjera përgjatë vijës bregdetare. Aktualisht po verifikohen një sërë ndërtesash për të konstatuar nëse janë ndërtuar pa leje ose nëse nuk plotësojnë kriteret ligjore për t’u legalizuar, në kuadër të lirimit të hapësirave publike dhe zbatimit të ligjit
