Endrit Braimllari i cili për vite ishte pjesë e ish-LSI dhe PL, sot është kandidati i PS-së për zgjedhjet e 11 majit. Për vendimin që u largua nga PL, ai tha se ndihet i vlerësuar që është pjesë e garës së PS për Tiranën.
”Ndihem i vlerësuar që jam pjesë e garës së PS për Tiranën. PS ka dhënë sinjale gjithëpërfshirjeje dhe hapje. Nuk ka rëndësi emri apo qenia në listë të hapur apo jo, rëndësi për mua ka ekipi. PS më dha një mundësi të përfshihem dhe tani më takon mua të jap angazhimin tim”, tha Braimllari.
Nga ana tjetër, Braimllari shton edhe se PS po shkon në këto zgjedhje me një program të mirëfilltë të integrimit të Shqipërisë në BE. ”Kam më shumë se një vit që nuk angazhohesha në PL. Zgjodha të pozicionohem në mbështetje të PS. E kam vendosur shumë më parë se të isha pjesë e ekipit të PS. U bashkova pikërisht për hapjen e partisë, gjithpërfshirjen, që pasionin tim politik ta ushtroj aty. Unë politikën e kam pasion dhe nuk mund të më ndalte askush. Kanë tentuar ta bëjnë por isha i vendosur në rrugën që do të ndiqja”.