Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) zhvillohet sot, në orën 10:00, seanca e radhës ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili përballet me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Në seancën e mëparshme, avokati i atëhershëm mbrojtës, Kujtim Cakrani, kërkoi kryerjen e një riekspertimi të të ardhurave të Metës që nga viti 1992. Në të njëjtën seancë, ai paraqiti edhe një listë me 134 persona që kërkon të thirren si dëshmitarë.
Në listë përfshihen Kryeministri Edi Rama, ish-deputetë, ish-bashkëpunëtorë të Metës në Lëvizjen Socialiste për Integrim, si edhe disa shtetas të huaj të lidhur me çështjet CEZ-DIA dhe lobimin, mes tyre edhe Charles McGonigal.
Tashmë i takon trupës gjykuese të vendosë se cilët prej dëshmitarëve të propozuar do të pranohen për t’u pyetur gjatë procesit gjyqësor. Edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK), në seancën e kaluar, paraqiti një listë me 110 emra dëshmitarësh.
Pas përfundimit të seancës së fundit, u bë i ditur edhe ndryshimi i avokatit mbrojtës të Ilir Metës. Sipas studios ligjore të Kujtim Cakranit, bashkëpunimi mes palëve u ndërpre për shkak të humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit.
Më pas u publikua një letër e shkruar me dorë nga vetë Ilir Meta, në të cilën ai shprehej se kishte kërkuar zëvendësimin e avokatit, pasi dëshironte një përfaqësues ligjor që të angazhohej ekskluzivisht me çështjen e tij, për shkak të volumit të madh të procesit dhe nevojës për disponueshmëri të plotë.
Deri më tani nuk është bërë publik emri i avokatit të ri që do të marrë përsipër mbrojtjen e kreut të Partisë së Lirisë.
