Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh mbrëmjen e sotme në emisionin “Open” se ndryshimi do të vijë nga vota e lirë. Ai theksoi se ai dhe Berisha kanë dallim nga shumë të tjerë sepse e mbajnë fjalën dhe i japin mundësi të rinjve.
“Qeveria është më ilegjitime se asnjëherë tjetër. Sepse është më anti popullore se kurrë më parë. U bënë 10 vite, i ka të gjitha pushtetet. Këtë e thonë të gjitha komponentët. Ndryshimi do të vijë nga vota e lirë. Nga përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje. Pastaj unë apo Berisha kemi dallim të madh nga shumë të tjerë që e mbajnë fjalën dhe i japim mundësi të rinjve. Dinamika do të jetë shumë më e shpejtë nga sa e mendoni ju. Në sensin pozitiv.
Në demokraci janë të gjitha format. E rëndësishme është që opozita tani është e pagjumë. Me protesta dhe zgjedhje, me zgjedhje dhe protesta. Do ikë më kollaj se Millosheviçi. Janë me fakte të gjitha. Angazhimi ynë i parë është referendum që qytetarët të jenë politikbërës. Kjo është një gjë e realizueshme që klasa politike të vihet nën kontrollin e qytetarëve. Çështja e përzgjedhjes së kandidatëve përmes primareve është frymëmarrje për partirë qytetarët. Dhe alternativa e anti korrupsionit. Të gjitha këto që po flasim na ndihmojnë për të luftuar korrupsionin”, u shpreh ai.
“Qëllimi nuk është te lokalet se ato do bëhen janë të pashmangshme. Nuk jam këtu për të shpalosur axhendën e lëvizjeve por të siguroj që asnjë minutë nuk do ndalojmë së bëri opozitarizmin. Deklaratat janë të vërteta dhe i shërbejnë interesit publik. Duhet ta kthejmë në një mekanizëm që trondit parlamentin dhe qeverinë për të hapur mundësinë për një zgjidhje politike para zgjedhjeve lokale. Askush të mos shpresojë që nuk do ketë opozitë në zgjedhjet lokale. Mendoj që sot jemi në kushte të tjera dhe kemi një dinamikë tjetër”, tha Meta.
