Deputetja Ina Zhupa, ka dhënë një intervistë për emisionin “Drejt” vetëm pak minuta pas mbylljes së protestës ku dhe mori pjesë. Ajo tha se ishte një protestë e jashtëzakonshme, ndërsa shtoi se është hera e parë që opozita u bashkua me shoqërinë civile.
Ina Zhupa: Ishte një protestë e jashtëzakonshme. Të gjithë qytetarët që ishin këtu, apo e panë nga televizori protestën, arritën të shohin masivitetin e kësaj proteste. Ishte plot. Kishte një etje për të protestuar dhe një revoltë. Sot nuk e di numrin që kanë marrë pjesë në protestë por di që numri ka qenë shumë i madh.
Zhupa tha se në protestën e ditës së sotme morën pjesë edhe emigrantët.
Ina Zhupa: Është për herë të parë që bashkohemi me shoqërinë civile. Është hera e parë që në shesh ka pasur dhe socialistë të ndershëm, qytetarë pa parti, dhe ishin këtu se besonin se duhet të ndryshonte kjo qeveri. Ka emigrant që kanë ardhur posaçërisht për protestën.
Ajo tha se kjo nuk do të jetë protesta e parë, pasi protesta të tjera do të zhvillohen edhe në ditët në vijim, dhe në qytetet e tjera.
Ina Zhupa: Nuk bëhet fjalë për pushime, asnjë ditë pushim. Nuk kemi opozitë part-time. Është detyra jonë t’i qëndrojmë afër qytetarëve që na kanë votuar. Nuk përjashtohet nisja e një stine protestash jo vetëm në Tiranë por edhe në qytete të tjera. E rëndësishme është që do bëjmë opozitë.