Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien e Parlamentit, Elisa Spiropali ka replikuar me kryedemokratin Lulzim Basha lidhur me punën e Komisionit Hetimor për inceneratorët.
Spiropali thotë se Lulzim Basha e nisi me një përrallë se si 3 shokë u mblodhën dhe bënë aferën e pretenduar nga opozita.
Duke përdorur nota ironie, Spiropali deklaron se historia është ndryshe, duke thënë se ishin dy shokë, Luli dhe Saliu.
“Meqë e nise me përrallë, nuk po them se ishin tre shokë, por Luli dhe Saliu. Luli që hipi mbi pirgun e plehut që shpiku vetë. Saliu që hipi mbi Lulin. Kaq ishte epilogu i gënjeshtrave dhe rrenave që keni muaj e muaj që ngrini pa pushim, që komisioni hetimor më në fund i zbardhi. Tani që jemi në këtë epilog, e nisim nga prologu. Ky komision hetimor u pranua nga ne edhe pse kur një çështje është nën hetim, është e qartë se nuk ka nevojë për Komision Hetimor. Detyra e komisionit hetimor, mangësitë administrative, apo të tjera çështje t’i çojë në organet e drejtësisë kur ka problematika.- tha Spiropali.
