Organizata e njohur ndërkombëtare, “Save the Children” i ka hequr postin e ambasadorit të bamirësisë Cristiano Ronaldos, pas incidentit që u përfshi ylli portugez të shtunën e kaluar, kur i theu celularin një tifozi 14-vjeçar, teksa sulmuesi shfaqej i revoltuar pas humbjes së Manchester United ndaj Evertonit.
Në tension e sipër teksa po hynte në dhomat e zhveshjes pas përfundimit të ndeshjes në stadiumin “Goodison Park”, Ronaldo e goditi djalin autik në dorë, duke bërë që atij t’i fluturojë telefoni në tokë dhe të bëhej copash. 14-vjeçari është autik dhe sipas dëshmisë së nënës së tij, “ka qarë dhe ka mbetur totalisht i tronditur” nga ky veprim i 5 herë fituesit të Topit të Artë.
“Save the Children”, e cila është një organizatë lufton për të mbrojtur fëmijët dhe për të siguruar që ata të ndihen të sigurt, e dënoi incidentin duke e konsideruar se ajo çka bëri Ronaldo ishte një veprim kundër gjithçkaje që mbështet bamirësia. Ylli i Mançester Junajtid kërkoi menjëherë falje për sjelljen e tij në rrjetet sociale, por duket se kjo nuk mjaftoi. Një hetim i policisë është hapur gjithashtu për incidentin, teksa pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, gjithashtu mund të ndëshkohet nga Premier League.
Kujtojmë se Cristiano Ronaldo ishte ambasador i “Save the Children” për 10 vite. Mamaja e 14-vjeçarit shpjegoi se Jacob nuk ishte në gjendje të flinte natën e së shtunës, se telefoni i ishte prishur dhe se kishte dhimbje brenda gishtit të madh, si dhe mavijosje të dukshme në dorë.
