Një tërmet me magnitudë 6.9 ballë ka goditur Sumatrën veriore të Indonezisë, vetëm pak orë pas tërmetit me magnitudë 7.7 ballë, i cili shkaktoi dhjetëra viktima.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), epiqendra e lëkundjeve të reja ishte pranë Pematangsiantar, rreth 126 kilometra nga qyteti i Medanit, në perëndim të Indonezisë. Tërmeti kishte një thellësi fokale prej 158 kilometrash.
Ndërkohë, bilanci i viktimave nga tërmeti i parë me magnitudë 7.7 ballë ka shkuar në 40 të vdekur.
Indonezia është një nga vendet më të ekspozuara ndaj tërmeteve dhe aktivitetit vullkanik për shkak të pozicionit të saj në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” e Paqësorit.
Ndërkohë, një tjetër tërmet me magnitudë 5.8 ballë është regjistruar në brigjet veriore të Papua Guinesë së Re. Sipas Qendrës Gjermane të Gjeoshkencave, lëkundjet kanë pasur një thellësi fokale prej rreth 10 kilometrash.
