Stomatologu Gjergji Dilo, miku i dy laborantëve, Besar Lalike dhe Elidian Cepeli, që morën përsipër të ndërtonin ventilatorët në Shqipëri që shpëtojnë njerëzit e infektuar me Covid-19, ka treguar efektet pozitive që po jep kjo gjë në Shqipëri. Në një lidhje me Skype në “Pa Protokoll”, Dilo tha se QSUT-ja ka porositur 300 copë dhe se asgjë nuk do të shkojë kot, pasi ata riciklohen.
“Unë jam dentist, por kam kuptuar që aparatet janë për një person. Sigurisht ata janë të riciklueshëm dhe nga fluksi e nga halli i shumë të infektuarve, mund të përdoren edhe tek pacientë të tjerë, në mënyrë që të kurohen sa më shumë. Për shembull nëse kemi 150 aparate, mund të mbajmë edhe 150 pacientë të tjerë gjallë. Reparti Infektiv në QSUT ka porositur 300 copë për t’i pasur në dispozicion nëse gjendja do të agravohet. Nuk është llogaritur kurrë kjo pandemi, por ventilatorët mund të përdoren në disa raste të caktuara. Ata po e bëjnë gjithçka me xhepin e tyre,”- tha Dilo ndër të tjera.
Ndërkohë, në Shqipëri janë 186 të infektuar me Covid-19, mes tyre 4 fëmijë, ndërsa numri i viktimave ka shkuar në 9. 31 nga të prekurit janë shëruar, por harta e infektimit është zgjeruar. Puka i bashkohet listës me 2 të infektuar, ndërsa epiqendra është në Tiranë me 107 të infektuar. 12 mjekë dhe infermierë janë prekur, ndërkohë që Spitali Infektiv, COVID1 po mbush kapacitetet me 77 shtretër. Autoritetet kanë vetëm një thirrje për qytetarët: Qëndroni brenda!