Albana Mucaj-Gazetare
Sa herë flasim apo kujdesemi për shëndetin mendor?! Kush është i sëmurë?!… Ndërkohë gratë dhunohen e vriten. Vajzat ngacmohen seksualisht e përdhunohen. Krizat sociale dhe ekonomike po krijojnë një plagë më të madhe se sa thjeshtë varfëria. Fatkeqësisht, sa herë vritet një grua dhe lajmi helmon vendin, frika më e madhe është vrasja e shpresës, e shpresës së grave që duhet të shpëtojnë nga dhuna.
Ndaj sot, nuk janë vrarë dy gra. Shumë zemra janë vrarë e janë kërcënuar, të rrinë sus…në heshtjen e dhunës. Në një bisedë me një grua aktiviste sot, pyetja ishte ”Ja dole ne shesh”…Çfarë më tej…. Po, ka se çfarë. Shumë e thjeshtë: Të ndryshohet në Kodin Penal neni për vrasjen. Të rritet dënimi për krimin në familje, dhunën ndaj të miturve, ngacmimet seksuale e përdhunimin!
Asnjë deputet, a më tej ministër a kryeministër nuk duhet të ketë luksin të shpenzojë e keqpërdorë fjalën në parlament e komisionet parlamentare. Teatri është tjetërkund!
Të dhënat e publikuara në fund të vitit të kaluar tregonin për 16 gra e vajza të vrara.
Në 8 vitet e fundit, 106 gra dhe vajza janë vrarë e masakruar. 70% e tyre janë vrarë nga bashkëshortët.
Vitin e kaluar u lëshuan 4 mijë urdhra mbrojtjeje nga gjykata për gratë dhe vajzat në vend.
Sipas një studimi të INSTAT dhe UNDP, rreth 53 % e grave (rreth 750 mijë) janë shprehur se kanë qenë viktima të dhunës në familje të paktën një herë në jetën e tyre.
Niveli i dhunës është edhe më i lartë, duke marrë parasysh se në shumë raste nuk ka denoncime.