Nuk ka surpriza në gjysmëfinalen e dytë të Europa Leagues, teksa Interi arriti të fitojë bindshëm 5-0 përballë ukrainasve të Shakhtar Donetsk. Pikërisht pas një largimi të gabuar të portierit Piatov, erdhi edhe goli i avantazhit.
Sfera e larguar nga portieri ukrainas shkoi në këmbët e Nicolo Barellas, i cili avancoi me topin në këmbë dhe krosoi në zonë, aty ku gjeti të lirë argjentinasin Lautaro Martinez, i cili nuk mund të gabonte nga vetëm 4-5 metra larg vijës fatale.
Shakhtari bëri shumë pak për të synuar finalen e kompeticionit, pasi përpos një epërsie në kontrollin topit, arriti të kërcënojë vetëm në dy momente kuadratin e Handanovic, me një gjuajtje mbi kuadrat dhe një tjetër të pritur me fat nga kapiteni zikaltër.Në minutën e 64-t, pas ekzekutimit të një goditjeje nga këndi, Danilo D’Ambrossio u shkëput mirë në zonë dhe gjuajti saktë me kokë, duke shënuar edhe golin e dytë për zikaltrit, të cilët më pas u bënë padronë të fushës.
Lautaro Martinez shënoi golin e tretë në minutën e 74-t, ndërsa më pas në skenë u ngjit sulmuesi belg Romelu Lukaku, i cili shënoi një dygolësh, prej të cilëve i dyti i tij dhe i pesti për zikaltrit, ishte vërtetë spektakolar. Interi rikthehet kështu pas 10 vitesh në finalen e një kompeticioni europian, pasi për herë të fundit kishte luajtur dhe fituar në finalen e Ligës së Kampionëve në 2010-ën, ndërsa të premten do të kenë mundësi të shtojnë në murin e suksesit një tjetër trofe dhe njëkohësisht të kurorëzojnë me sukses një sezon të nisur me pritshmëri të larta.