Biseda me “Mjeshtrin e Sportit” dhe “Qytetarin e Nderit të Matit”, Dali Farruku është interesante dhe mbresëlënëse.
Më shumë se fjalët e tij vlejnë faktet, pohimet e ish kolegëve, tifozëve, njerëzve të këtij sporti. Që në fillim Farruku është modest kur shprehet se “askush nuk mund të flasë për veten e tij. Janë tifozët, kolegët, specialistët ata që vlerësojnë lojën, kontributin për çdo futbollist”.
Karriera brilante e Farrukut të Burrelit nis në vitet ’70, kohë kur ai luante fillimisht me klasat sportive dhe më pas me skuadrën “31 korriku” të Burrelit. Spikati me lojën e tij, talentin në përdorimin e topit, sulmet e veçanta që kur ishte 17 vjeç, kohë kur veshi bluzën e ekipit të të rriturve.
“E mbaj mend mjaft mirë ndeshjen e parë të karrierës time, thotë Dali Farruku. Kemi udhëtuar drejt Himarës dhe unë isha pjesë e formacionit bazë. Emocionet ishin të shumta sepse isha futbollisti më i ri në atë kampionat të Kategorinë së Dytë”.
Duke iu referuar kontributit të dhënë ai shton se ka luajtur me gjithë shpirt dhe dinjitet, duke përfaqësuar skuadrën me të cilën ka luajtur. “U jam borxhli përjetë tifozëve matjanë e lushnjarë, sepse vazhdimisht më kanë mbështetur, më kanë dhënë kurajo, forcë dhe respekt”-shton ylli i futbollit matjan.
-INTERVISTA
Çfarë të ka mbetur në mendje teksa luaje futboll përballë skuadrave të mëdha të futbollit shqiptar?
Stadiumet mbusheshin plot me tifozë. Mijëra njerëz me kulturë e qytetari ndiqnin ndeshjet e futbollit. Nuk ndodhnin kurrë ato gjëra që dëgjojmë aktualisht, askush nuk fyente e godiste gjyqtarët, trajnerët, futbollistët apo tifozët. Nuk bëhej fjalë thyerje rregullash të futbollit siç dëgjojmë e shohim rëndom tani. Luhej futboll burrëror, me ndjenjë, me energji, me sakrifica.Nuk është vendi të mburrem, por ndeshjet më të mira dhe që kanë mbetur të skalitura në mendjen time janë ato me skuadrat e mëdha të futbollit shqiptar, me Partizanin, Vllazninë, Dinamon, 17 Nëntorin, etj. Golat e mi kanë qenë vendimtar dhe kjo më ka rritur vlerat si futbollist. Stadiumi i Burrelit, kur vinin këto ekipe ishte në festë. Mijëra tifozë të ardhur nga të gjitha zonat e rrethit e tejmbushnin atë. Kam nostalgji për ato vite dhe dyshoj se nuk do të kthehen më.
Keni aktualisht ju një mendim se si mund të ringrihet futbollit matjan?
Ekipet e të rinjve ishin baza kryesore e furnizimit të ekipit të të rriturve para viteve ’90-të. Unë vazhdoj t’i qëndroj idesë se baza e ekipit të të rriturve duhet të jenë futbollistët e ekipeve të të rinjve.
Po ashtu vazhdoj të mendoj se shumica e futbollistëve të skuadrës së Burrelit duhet të jenë autoktonë. Mund të pranohet që 3-4 futbollistë të merren nga ekipe të tjera, por kurrësesi shumica e tyre.Disa skuadra po përgatisin futbollistë në klubet e tyre. Ata kanë ngritur Akademitë e Futbollit.
Edhe Burreli kështu duhet të veprojë. Në një takim që kemi patur me kryebashkiakun Agron Malaj, na është premtuar ngritja e Akademisë së Futbollit. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirë. Sot shumica e futbollistëve që kanë veshur bluzën e Burrelit janë nga qytete të tjera dhe nga jashtë vendit. Nuk jam kundër kësaj, por kur në skuadër ka më shumë lojtar vendas ata luajnë më me shpirt, zgjohet jeta sportive, kthehen tifozët në stadium, gjithçka shkon më mirë.
Ju keni qenë jo vetëm një futbollist i mirë, por edhe një trajner kurajoz. Keni ndjekur modele të caktuara?
Po. Unë ruaj nostalgji për ish trajnerët Bert Jashari, Qirjako Kola, Lekë Sulku, Zyber Xhetani, Baftjar Punavija, etj. Ata më kanë bërë futbollist me emër dhe kam mësuar shumë prej tyre. Ndërkohë nga ish futbollistët e Burrelit mund të veçoj Sajmir Xhetanin, Xhelal Farrukun, Vladimir Gjonin, Kastriot Ramën, Besnik Beqirin, etj. Ata i dhanë shumë futbollit matjan. Nuk mund t’i harroj për asnjë moment.
A keni ju një bilanc të karrierës dhe mund të thoni diçka që ju ka mbetur ne memorie?
Patjetër. Kam zhvilluar afro 480 ndeshje në 23 vjet të karrierës time dhe kam shënuar të paktën 230 gola. Në vitet 1981, 1983, 1986 dhe 1994 ekipi ynë është ngjitur në Kategorinë e Parë, edicione këto ku unë kam luajtur me bluzën e vendlindjes time, Burrelit.
Ndoshta golin më të veçantë të karrierës time e kam shënuar në “Qemal Stafa”, kur nga një distancë të paktën 25 metra i shënova gol ish portierit të Partizanit, Perlat Musta, i cili njihej si një nga portierët më të mirë të vendit në ato vite. Gati të gjithë portierevë të njohur të asaj kohe u kam shënuar gola.
Pas titullit “Mjeshtër Sporti” tani edhe “Qytetar Nderi i Matit”, ju emocionon një gjë e tillë?
Gjej rastin të falenderoj kryetarin e Bashkisë Mat, Agron Malaj, Këshillin Bashkiak, tifozët dhe çdo matjan që kanë kthyer vëmendjen nga sporti i futbollit. Titulli i fundit më emocionoi pa masë. Jam ndjerë i vlerësuar dhe nuk gjej fjalë për t’i përshëndetur të gjithë pa përjashtim.
/tirananews.al/