Lamtumira e Migjen Bashës nga përfaqësuesja shqiptare ka qenë një nga të papriturat e mëdha të ditëve të fundit të gushtit. Futbollisti ka vendosur t’i përkushtohet detyrimeve familjare dhe njëkohësisht t’u hapë rrugë të rinjve, ndaj nga tani e tutje, do të jetë thjesht një tifoz më shumë për përfaqësuesen kuqezi.
Një “zanat i ri” siç e quan ai vetë në një intervistë për Vip Sport, ku tregon se si është tani perceptimi kur sheh gjërat nga larg grumbullimit, pjesë e të cilit nuk do të jetë më. Basha tregon edhe atë që mendon për këtë Shqipëri të re nën urdhrat e Rejas, si dhe ka një “kërcënim” për të gjithë ish-bashkëlojtarët e tij.
Migjen, si te duket Kombëtarja kur e sheh nga jashtë, jo më si futbollist i saj?
“Shumë ndryshe, sepse kur mendoj që do ta shoh ndeshjen në TV nuk po më duket realitet dhe kam pasur mundësinë të jem aty. Po sidoqoftë do jem tifoz i zjarrtë i saj, zanat i ri ky”.
A mendon se Shqipëria ka shanse ndaj Francës dhe Islandës?
“Unë besoj me të vërtet se po, sepse sot në futboll është e vështirë kundër çdo kundërshtari. Pastaj presioni është tek Franca dhe jo tek ne…”
Çfarë duhet të bëjë sipas teje ekipi për të dalë me kokën lart nga Parisi?
“Të mbrohemi ashtu siç dimë, të mos lehtësojmë lojën e Francës dhe të mos bëjmë gabime shumë të thjeshta. Në të kaluarën ato na kanë penalizuar”.
Kjo është një Shqipëri me ndryshime të mëdha, si të duken të rinjtë e afruar?
“Më pëlqen ideja për lojtarët e rinj dhe kanë të ardhme. Pozitive është që shumica nga ata janë në kampionate shumë cilësore”.
E the vetë se tani je tifoz, në të vërtetë a po të mungon Kombëtarja?
“Normale që më mungon, po kam filluar të mësohem. Kur vajza e vogël qan, i harroj të gjitha (qesh). Problemi është se duhet të ndal kontaktet me shumë lojtarë të kombëtares, se do më bëjnë të ndjehem pishman për vendimin. Problemi është se nuk janë vetëm lojtarët, po edhe fizioterapistët më ngacmojnë. Do të duhet t’u bëj bllok të gjithëve (qesh)”. / VipSport.al