Në botën e sotme dixhitale sfida më e madhe për një prind është mënyra më e mirë e rritjes së fëmijës së tij. Dëgjojmë shpesh të thonë “se ne në kohën tonë luanim jashtë, tani fëmijët i ke në telefona e tableta”, apo “sot për të qenë rehat apo për të qetësuar fëmijën prindërit e gjejnë si mënyrë të mirë t’i japin telefonin”. E në fakt këto fraza janë objekt debati mes ekspertëve, nëse duhet apo jo dhe si mund t’i parandalojmë.
Nga ana tjetër, vetë prindërit janë në sfidë me veten, pasi kur sjell në jetë një fëmijë, nuk është vetëm ai që mëson të rritet, por dhe prindi mëson të prindërojë dhe sfida më e madhe me veten që e shoqëron është “A jam një prind i mirë? A po e edukoj mirë fëmijën tim?”. Duke qenë në këtë dilemë, shumë nëna (por dhe baballarë) kërkojnë të gjejnë mënyra edukative për fëmijët e tyre.
Nuk ka nënë të mos e dijë këngën “Baby Shark” apo të shohë “5 minutes Craft” për të mësuar gjëra të reja edukative dhe punime dore për të vegjlit. Pjesa më e madhe e tyre janë në gjuhë të huaj dhe realizuar në shtete të tjera. E kush nuk do të dëshironte që këngët e fëmijëve, lojërat edukative dhe zbavitëse të mos i dëgjonte në shqip?
Prej disa muajsh tashmë në rrjetet sociale ekziston një i tillë, falë Zotit do të thoshim. “Joniandmommy” është profili i Erionës dhe djalit të saj 2 vjeç e gjysmë Jonit. Nisi si një lojë e thjeshtë nëne për të mbushur ditët e dimrit të fëmijës së saj, që kategorikisht kërkon ta mbajë larg telefonit, por ja që sot është një ndër profilet më të kërkuara përsa i përket punimeve të dorës për fëmijë. Një nga profilet që e kemi parë në gjuhë të huaj dhe që na shndrrijnë sytë kur e shohim me shkronjat tona, me shpjegimet shqip.
Në një intervistë për tirananews.al Eriona thotë se e nisi këtë projekt me djalin për ta argëtuar pa u sforcuar dhe edukuar, por më pas me mbështetjen e miqve dhe familjes e ktheu në një profil publik për të shpërndarë eksperiencën e saj mjaft të vlefshme me të gjithë. Lojërat edukative që poston Eriona dhe Joni janë bërë mjaft të pëlqyera dhe për këtë tashmë kanë dhe kanalin e tyre në YouTube. Si një iniciativë unike në llojin e saj në Shqipëri, të gjitha nënat duhet t’i thonë një faleminderit Erionës që në botën dixhitale kthen vëmendjen në rritjen e fëmijës me gjërat e thjeshta dhe edukative, që siç thotë vetë ajo fëmijët “i mëson të provojnë, të guxojnë…” dhe jo të imitojnë. Cili është qëllimi i këtij profili dhe çfarë na ofron Eriona dhe Joni lexoni intervistën e këndshme më poshtë:

Kush është Jon dhe mami Eriona?
Unë jam Eriona. Mami i Jonit të vogël, djalit tim të vetëm dhe të mrekullueshëm.
Joni është dy vjeç dhe pak muaj. Të dyve na pëlqen shumë të bëjmë lojëra krijuese, argëtuese dhe edukative, eksperimente, figura prej letre dhe vizatime shumëngjyrëshe. Formimi im është social dhe dëshira për të bërë punime të ndryshme krijuese, qofshin këto vizatime, figura, me plastelinë apo punime të tjera të thjeshta, lindi krejt natyrshëm pas mëmësisë.
Unë besoj që gjithçka që i japim fëmijës deri në moshën 3-vjeçare është një gur themeli për atë që do ta shoqërojë në të gjitha periudhat e tjera të jetës.
Profili në rrjetet sociale “Joniandmommy” ka nisur në mars të këtij viti. Si ju lindi ideja?
Po, ne kemi krijuar profilin tonë “Joniandmommy” që prej muajit Mars të këtij viti. Përvoja jonë me projekte të vogla krijuese, në kushtet e shtëpisë, në fakt ka filluar më herët me lojra edukative, jo vetëm me përdorimin e letrave me ngjyrë dhe krijimin e kafshëve apo figurave të ndryshme por edhe me mësimin e shkronjave, ngjyrave dhe numrave, gjithnjë duke u argëtuar dhe pa u sforcuar.
Gjatë muajve të dimrit daljet tona u rralluan dhe si rrjedhojë mu desh të gjeja mënyra të tjera alternative për të argëtuar Jonin në shtëpi, për t’i mësuar çdo ditë gjëra të reja, për ta mbajtur aktiv dhe larg televizorit apo mjeteve të tjera elektronike. Dhe mbrëmjet tona sa vinin e bëheshin më argëtuese. Çdo punim që bënim, apo çdo lojë që luanim mundohesha ta fotografoja ose ta filmoja dhe e shpërndaja me familjarët apo miqtë e ngushtë. Ishin këta që më nxitën të krijoja një profil në rrjetet sociale dhe t’i ndaja këto lojra të bukura me miqtë e ngushtë. “Profili” filloi dalëngadalë të pëlqehej dhe të ndiqej nga shumë të tjerë. E kemi filluar vetem me 50 miq dhe tani jemi bërë një minikomunitet ku ndajmë punime apo lojra të ndryshme krijuese me fëmijët por dhe shkruhemi në inbox apo konsultohemi për përditshmërinë për femijët tanë.
Në fakt është bërë mjaft i ndjekur si profil duke qenë mjaft praktik për edukimin e fëmijëve. Ju përdorni vetëm vizatimet në letër dhe punimet me letra me ngjyra? Jon do të rritet, do të mësojë shumë gjëra, do të mësojë leximin, vizatimin, kërcimin etj. Si mendoni ta pasuroni këtë profil tuajin? Apo do qëndroni vetëm në kontekstin e vizatimeve dhe punimeve prej letre?
Joni dhe unë, kryesisht bëjmë vizatime të thjeshta dhe krijojmë figura me letra. Punimet që ne sjellim, në të gjitha format e tyre, janë të thjeshta, me materiale që gjenden lehtë, kushtojnë pak, bëhen shpejt dhe, sigurisht, janë punime që kanë si qëllim argëtimin dhe zhvillimin e fëmijëve.
Çdo proces që bëjmë e ilustrojme me hapa, për ta bërë sa më të thjeshtë si për mamat ashtu edhe për fëmijët. Madje Joni argëtohet aq shumë në këtë pjesë sa kur harroj të bëj foto më kujton “mami foton shpejt” dhe vazhdojmë punën. Më pëlqen sepse Joni është përmirësuar goxha, mbaj mend në fillimet tona e kisha shumë të vështirë që ta bindja të uleshim në tavolinë, apo të përdornim me kujdes gërshërën por tani ja kemi marrë dorën dhe e shijojmë çdo punim apo lojë që bëjmë.
Joni patjetër që do të rritet, dhe une kam menduar që profilin ta pasurojmë dhe kemi filluar pak nga pak që ta shtojmë edhe me lojra të tjera edukative, si të mësojmë shkronjat dhe numrat duke luajtuar dhe pa i merzitur fëmijët. Janë lojra të thjeshta që kërkojnë pak punë përgatitore për prindin por në fund fëmijët i kanë shumë qejf dhe i mësojnë shumë shpejt.
Cili është qëllimi i këtij profili?
Shiko në fillim kur u krijua si profil, si një mami krenare për zhvillimin e Jonit doja ta ndaja këtë gëzim me rrethin e miqve. Më pas, lojërat tona të vogla fillova t’i ndaja edhe me shumë prindër të tjerë, me qëllim krijimin e një ambienti sa më të qetë dhe stimulues për fëmijët dhe prindërit, për të kaluar sa më shumë kohë cilësore dhe për të zhvilluar kuriozitetin në mendjen e fëmijëve tanë.
Projektet krijuese me letra me ngjyre u mësojnë fëmijëve të ndjekin udhëzimet dhe të hyjnë në marrëdhënie me të tjerë për të çuar një punë deri në fund. Keto punime u përmirësojnë aftësitë teknike me mjetet e punës, si laps, letër, gërshërë, plastelinë etj. Fëmijët motivohen duke parë se ata mund të përmirësohen, dhe çka është më e rëndësishme, i mëson të provojnë, të guxojnë…
Pra, janë gjithë këto përfitime, dhe ku ka më mirë se sa të kalosh kohën me fëmijën tënd duke e argëtuar dhe mësuar në të njëjtën kohë.
Së fundmi “Joniandmommy” ka krijuar dhe profilin në Youtube? Një risi në Shqipëri, ku gjithmonë kemi parë video të huaja si “5 mincrafts” etj., por asnjëherë shqiptare. A mendoni se një praktikë e tillë duhet ndjekur dhe nga institucionet e arsimit?
Po vetëm para një muaji krijuam dhe kanalin tonë në Youtube me të njëjtin emër, i cili dhe ai po fillon të ngrihet pak nga pak. Kryesisht janë të huaj që na ndjekin në kanalin tonë në Youtube dhe më pak kombësi shqiptare. Youtube është një mundësi shumë e mirë sepse një punim e filmon nga fillimi deri në fund dhe direkt e poston. Është më e lehtë për të interesuarit që të të ndjekin nëpërmjet videos.
Nga ana tjetër, ka shumë nëna shqiptare që më kanë kontaktuar në inbox dhe kërkojnë ide sesi mund të organizojnë punime dorë me fëmijët e tyre.
Patjetër institucionet e arsimit tonë, kanë shumë më shumë mundësi se sa një individ për të investuar në këtë drejtim. Unë mendoj se disa programe të tilla duhet të jene të detyrueshme në institucionet parashkollore. Projektet krijuese kryesisht me letra, përmirësojnë punën e fëmijëve në grup, rrisin komunikimin dhe aftësitë e tyre sociale. Sepse fëmijëve do t’u duhet të mësojnë të bashkëpunojnë e të komunikojnë për të përfunduar projektet e tyre. Sepse punët krijuese pasurojnë dhe strukturojnë fjalorin e fëmijëve tanë. Sepse i mësojnë të reagojnë dhe të kuptojnë shpejt. U japin mjetet e para për të ndërtuar mendimin dhe u forcojnë logjikën.
Në ditët e sotme ku rutina e përditshme të lodh, të streson kur shkon në shtëpi, është shumë e vështirë, por jo e pamundur, të gjesh kohën të fokusohesh në punime të tilla me fëmijën. Për nënat që të ndjekin do të thoshin ‘Lum Joni për mamin që ka’? Si arrin ta menaxhosh punën, argëtimin me djalin dhe më pas orët e këtyre punimeve?
Po ke shumë të drejtë, përditshmëria, ngarkesa në punë por edhe në shtëpi, më bën nganjëherë të mendoj, sot do ta bëjmë pushim. Por kur shikon që djali mezi pret që ti të kthehesh nga puna, të merresh me të, të ledhatosh, t’i dedikohesh por mbi të gjitha kur shikon ndikimin pozitiv në zhvillimin e Jonit, falë këtyre veprimtarive argëtuese dhe edukuese, thjesht të motivon të bësh çdo ditë diçka të re.
Duke mbetur në këtë kontekst një mendim të Erionës lidhur me edukimin e sotëm të fëmijëve kur gjithnjë e më shumë prindërve po u bëhet thirrje ti shkëpusin të vegjlit nga telefoni dhe televizori.
Ky është vërtet një problem dhe jo vetëm në Shqipëri, ku numri i përdoruesve të telefonave po shtohet me ritme shqetësuese edhe te fëmijët.
Nuk janë të pakta rastet kur vetë prindërit mendojnë t’i “qetësojnë” fëmijët e tyre duke u dhënë celularin që të luajnë. Praktikë e cila në fakt kundërshtohet me forcë nga ekspertët, për shkak të efekteve të shumta negative që japin te fëmijët.
Unë personalisht kam qenë kundra përdorimit të tyre në rritjen e Jonit, kam preferuar të duroj pak kapriçot e momentit të tij apo dhe një naze gjatë procesit të ushqyerjes dhe mos t’ia lejoj përdorimin e tyre. Këtë gjë ja këshilloj të gjitha mikeshave të mija apo dhe prindërve që më shkruajnë.
Unë kam kuptuar që procesi i edukimit është një proces i gjatë dhe i vazhdueshëm. S’duhet të mërzitemi apo të heqim dorë gjatë rrugës. Ne prindërit jemi shembulli me i mirë për ta, nëse dorëzohemi ne sot, do të dorëzohen ata nesër.






