Për shkak të kufizimeve nga pandemia COVID-19, mësimi në shkollat shqiptare do të bëhet me orë të shkurtuara, duke alternuar prezencën fizike nëpër klasa me ndjekjen online. Në një intervistë për Tirananews, Fiqiri Çifliku, nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, shpjegon se në konsultë me mësues e prindër lëndët si gjuha shqipe, matematika, anglishtja, kimia, fizika  etj. do të zhvillohen në klasë, ndërkohë që edukimi muzikor, edukimi fizik, etj. do të mund të alternohet edhe me mësim në mjedise të hapura ose edhe online. Ai bën të ditur se MASR ka marrë masat që mësuesit për këto orë të shpërblehen me kuotat e përcaktuara në udhëzim dhe çdo minutë shtesë e mësuesve do të kompensohet. Lidhur me vlerësimin e nxënësve, z. Fiqiri Çifliku bën me dije se aktualisht janë tre skenarë që janë menduar nga ky institucion dhe se mësuesit duhet të bëjnë kujdes për shmangien e mbingarkesës me detyra dhe teste të tepërta dhe të cilat nxisin vetëm riprodhimin e nuk ushqejnë të menduarin kritik dhe krijues.

Intervista e plotë:

– Sa është numri i shkollave që do të vijojnë mësimin me dy turne?

Sipas skenarëve të përcaktuar në udhëzuesin e MASR dhe sipas mundësive reale në çdo shkollë të vendit  na rezulton se 1097 shkolla do të zhvillojnë mësim me një turn,479 shkolla do të vijojnë mësimi me dy turne dhe vetëm 183 shkolla do të organizojnë mësimin me tre turne duke e alternuar atë me mësimin online.

-Cilat janë kategoritë e reja që përfitojnë libra falas dhe si ka qenë kthimi i librave nga vitet e mëparshme?

Bazuar në  VKM  nr 486 datë 17.06.2020 “Për shtypjen botimin, shpërndarjen dhe shitjen e tekseve shkollore të sistemit të arsimit parauniversitar”, pika 6, kategoritë përfituese të librave falas të cilët do të kompensohen në masën 100% të çmimit të teksteve shkollore janë:

  1. ata që i përkasin kategorisë së pakicave kombëtare;
  2. janë fëmijë, i treti e më lart në radhën e shkollimit të fëmijëve të së njëjtës familje; 
  3. ata që kanë përfituar statusin e jetimit;
  4. ata që vijnë nga familje që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie nga zyrat e punësimit       
  5. ata që janë me aftësi të kufizuara, sipas ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”;
  6. ata që vijnëngafamiljeqëkanënëpërbërjenetyre anëtarë me aftësi të kufizuara,të lindur ose të bërëtëtillë,të cilët deklarohen të paaftë për punë, sipas ligjit nr.57/2019,Përasistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”
  7. ata që vijnë nga familje ku kryefamiljari  përfiton pension invaliditeti shteti; 
  8. ata që vijnë nga familje ku kryefamiljari nëpension pleqërie shteti dhe kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janëpatë ardhura;
  9. ata që i përkasin kategorisë rome dhe egjiptiane.
  10. ata që gëzojnë statusin e të verbrit. 
  11. Nxënësit nga klasat e I-VII janë falas.

Si ka qenë kthimi i librave nga vitet e mëparshme?

Nga shkollat ndiqet me shumë kujdes ruajtja dhe mirëmbajtja e librave që nxënësit kanë marrë falas.Sipas statistikave të grumbulluara na rezulton se gati 40% e librave do të jenë kontigjent i sasisë që është shpërndarë vitin e kaluar.Sigurisht kjo do të plotësohet me tekste të rinj dhe në shpërndarje do të kujdesemi që librat e rinj dhe të përdorur të alternohen për çdo nxënës.

-Ky vit shkollor do të karakterizohet nga një sërë kufizimesh për nxënësit, që vijnë si një masë mbrojtëse për shëndetin e tyre. Cilat janë masat që do merren për fillimin e shkollave kur dihet që numri i nxënësve nëpër klasa është i lartë?

Një proces që po ndiqet me shumë prioritet nga çdo  Zyrë Arsimore është ndarje e nxënësve në disa klasa për të krijuar një distancë jo më pak se 1,5 m mes nxënësve në një klasë, përgatitja e mjediseve fizike dhe pajisja me dezinfektantë si individual ashtu dhe për mjediset e brendshme të shkollës.Nuk ka munguar edhe bashkëpunimi i ngushtë me njësitë e qeversijes vendore.

Nga DPAP është skanuar infrastruktura në çdo institucion dhe janë përcjellë konstatimet pranë bashkive.Puna është në proces dhe vetëm pas certifikimit të mjediseve nga institucionet përkatëse do të happen për procesin mësimor.





Fiqiri Çifliku
Përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore, Shërbimeve dhe Statistikës
Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar

– A do të lejohet ushqimi në klasë?

Ushqimi nuk do të lejohet të konsumohet në klasa. Vlen të theksoj se orari i lëndëve do të jetë i reduktuar, kështu që nxënësit e kanë mundësinë të kthehen në shtëpi dhe të konsumojnë ushqim atje. Kjo tashmë është pjesë e protokollit që ka miratuar edhe Ministria e Shëndëtësisë dhe ne jemi të detyruar ta zbatojmë edhe si një masë për të ndaluar përhapjen e pandemisë.

– Si do të bëhet dezinfektimi nëpër klasa teksa ndërrohen turnet?

Hapësira kohore ndërmjet ndërrimit të turneve të nxënësve do vijojë me dezinefektimin e klasave me solucione të vëna në dispozicion të institucioneve arsimore nga qeverisja vendore.Bëhet fjalë për higjenizim duke përdorur detergjentë të cilët bëjnë të mundur eleminimin e rrezikut.

-A mundet mësueset të bëjnë disa turne? Nëse po, a do ketë shpërblime në pagë?

Nëse do të analizojmë me kujdes udhëzuesin e vitit shkollor 2020-2021 do të vëmë re se nuk do të ketë punë me dy turne për mësuesit, por brenda kohës normale të punës do të kemi një fragmentarizim të orës së mësimit e cila në numër do të dyfishohet, por në kohë mësimore shkon në një shtesë në kohën e punës jo më shumë se 7 orë mësimore. MASR ka marrë masat që mësuesit për këto orë të shpërblehen me kuotat e përcaktuara në udhëzim dhe çdo minutë shtesë e mësuesve do të kompesohet.Gjithashtu në ndihmë të këtij procesi do të jenë edhe mësuesit në dispozicion apo kategori të tjera të punonjësve mësimor.

– A do të jetë ky një moment për mësuesit e rinj për t’u punësuar?

Nëse do ketë orë të lira do të vijojë respektimi i udhëzimit 13, për punësimin e mësuesve sipas renditjes në portal dhe sigurisht që do të jetë një mundësi e mirë për të gjithë ata që janë renditur në listat e portalit Mësues për Shqipërinë 2020-2021.

– Cilat lëndë do të bëhen online dhe cilat në klasë?

Në konsultë me mësues e prindër lëndët si gjuha shqipe, matematika, anglishtja, kimia, fizika  etj. do të zhvillohen në klasë, ndërkohë që edukimi muzikor, edukimi fizik, etj. do të mund të alternohet edhe me mësim në mjedise të hapura ose edhe online.

Kush janë kategoritë e nxënësve që nuk do të frekuentojnë mësimin?

Nxënësit që mund të shfaqin probleme shëndetësore si temperaturë, apo shenja të tjera dyshuese për Covid 19, do të vlerësohen nga personeli shëndetësor nëse duhet ta ndjekin apo jo mësimin në shkollë.Gjithashtu dhe për nxënsit me AK do të këtë një organizim për t’u ardhur në ndihmë e për ta zhvilluar mësimin edhe në kushte shtëpie, gjithmonë duke rënë dakord me familjarët apo me rekomandimet e komisioneve disiplinare.

Si do të kontrollohen nxënësit nëse janë prekur ose jo nga COVID-19 çdo ditë?

Stafi mjekësor i shkollës (mjekja/infermierja e shkollës) ose personeli i shkollës, i caktuar nga drejtuesi dhe i trajnuar për veprimet e mëposhtme, mat temperaturën me termometër digjital, spërkat me solucion dezinfektues me përmbajtje 60% alkooli, duart e nxënësve dhe të stafit, Kontrollon nëse çdo nxënës është i pajisur me maskë.

Në raste evidentimi për shqetësime apo problematika që mund të shfaqin nxënësit do të njoftohen prindërit dhe do të ndiqen protokollet e mëtejshme shëndetësore.

Për parandalimin e transmetimit të COVID-19 në shkollë,në bashkëpunim me prindërit çdo ditë do të kontrollohen nëse ka ndonjë simptomë të pranisë së virusit tek fëmijët. Nëse janë të sëmurë ose nëse kanë pasur kontakte të ngushta me ndonjë person të diagnostikuar me COVID-19, fëmijët do të mbahen në shtëpi.

– Pyetja që shqetëson të gjithë është si do të bëhet vlerësimi i nxënësve për dijet e tyre?

Skenari i parë i vlerësimit të nxënësve, bazuar në udhëzimin e fillim vitit hartuar nga ASCAP dhe mirtuar nga MASR,  për vitin 2020-2021 do të jetë:

Në rastin e këtij skenari, pavarësisht se mësimi zhvillohet fizikisht në klasë, për shkak të kompleksitetit të situatës dhe të ndikimit të saj në mirëqenien fizike, emocionale dhe sociale të nxënësve, mësuesit duhet të tregojnë kujdes të veçantë për vlerësimin e nxënësve.

Në vijim të procesit të mësimdhënie – nxënies, komentet dhe sugjerimet e mësuesve gjatë vlerësimit duhet të përqendrohen në nxitjen dhe në mbështetjen e nxënësve për të nxënë. Vlerësimi i nxënësve duhet të nxjerrë në pah arritjet e tyre, në mënyrë që ata të inkurajohen të mësojnë me më shumë dëshirë.

Vlerësimi i nxënësve me nevoja të veçanta duhet të bëhet në mënyrë të tillë që t’u japë atyre mundësinë të demonstrojnë çfarë dinë dhe mund të bëjnë në përmbushje të rezultateve të të nxënit dhe rezultatave zhvillimore që janë vendosur në planin edukativ individual (PEI). Për këtë qëllim mësuesi duhet të përshtatë detyrat/veprimtaritë vlerësuese me mundësitë dhe me nevojat që këta nxënës kanë.

Mësuesi nuk ka të drejtë të vlerësojë nxënësit për ato rezultate që nuk janë në program. Metodat, teknikat dhe strategjitë e vlerësimit të vazhduar duhet të jenë të shumëllojshme dhe të përfshijnë pyetjet dhe përgjigjet e nxënësve, pjesëmarrjen në diskutime, vlerësimin e detyrave të shtëpisë, vlerësimin e problemeve që shtrojnë zgjidhje të situatave të jetës së përditshme, vetëvlerësimin e nxënësit etj., për t’u dhënë mundësi të gjithë nxënësve të shprehin sa më mirë arritjet e tyre.

Mësuesit e lëndëve të fushave: “Shoqëria dhe mjedisi”, “Arte”, “Teknologji dhe TIK”, “Edukim fizik, sporte dhe shëndet” etj., NUK zhvillojnë teste, por detyra përmbledhëse me shkrim ose me gojë, në mënyrë që nxënësit të mos ngarkohen me teste për të gjitha lëndët.

Skenari i dytë i vlerësimit të nxënësve:

Skenari i dytë është kur mësimi zhvillohet i kombinuar (një javë në shkollë dhe një javë në kushtet e shtëpisë), duke ruajtur të gjitha rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik, në rast se do të ketë situatë të rënduar të pandemisë. Vlerësimi i nxënësit kryhet referuar të gjitha udhëzimeve dhe dokumenteve të tjera mbështetëse për vlerësimin.

Në këtë skenar vlerësimi i nxënësit do të bëhet vetëm gjatë kohës që nxënësi zhvillon mësimin në klasë, sipas udhëzimeve që janë në fuqi. Vlerësimi i nxënësve duhet të nxjerrë në pah arritjet e tyre, në mënyrë që ata të inkurajohen të mësojnë me më shumë dëshirë. Ai duhet të konsiderohet si një mjet në ndihmë të nxënësve, që ata të njohin më mirë aftësitë e tyre në të nxënë, të zhvillojnë e të përdorin talentet dhe aftësitë në mënyrë sa më të dobishme.

Vlerësimi i nxënësve me nevoja të veçanta duhet të bëhet në mënyrë të tillë që t’u japë atyre mundësinë të demonstrojnë çfarë dinë dhe mund të bëjnë në përmbushje të rezultateve të të nxënit dhe rezultatave zhvillimore që janë vendosur në planin edukativ dhe individual (PEI).

Metodat, teknikat dhe strategjitë e vlerësimit të vazhduar duhet të jenë të shumëllojshme dhe të përfshijnë pyetjet dhe përgjigjet e nxënësve, pjesëmarrjen në diskutime, vlerësimin e detyrave të shtëpisë, vlerësimin e problemeve që shtrojnë zgjidhje të situatave të jetës së përditshme, vetëvlerësimin e nxënësit etj., për t’u dhënë mundësi të gjithë nxënësve të shprehin sa më mirë arritjet e tyre. Mësuesit duhet të bëjnë kujdes për shmangien e mbingarkesës me detyra dhe teste të tepërta.

Mësuesit e lëndëve të fushave: “Shoqëria dhe mjedisi”, “Arte”, “Teknologji dhe TIK”, “Edukim fizik, sporte dhe shëndet” etj., NUK zhvillojnë teste, por detyra përmbledhëse me shkrim ose me gojë.

Testi/detyra përmbledhëse do të realizohet gjatë kohës kur nxënësi zhvillon mësimin në klasë dhe jo gjatë mësimit online. Në këtë rast mund të përdoret shumë mirë orari me orë të njëpasnjëshme. Mësuesit duhet të bëjnë kujdes në lidhje me numrin dhe llojin e detyrave të portofolit lëndor, duke shmangur ato lloj detyrash të cilat nxisin vetëm riprodhimin, nuk ushqejnë të menduarin kritik dhe krijues dhe krijojnë mbingarkesë të panevojshme te nxënësit. Në këtë skenar portofoli i nxënësit për një periudhë mund të ketë vetëm 1 detyrë hulumtuese dhe një fazë të projektit. Në të gjitha lëndët, projekti kurrikular sugjerohet të jetë me shtrirje gjithëvjetore në mënyrë që t’i japë mundësi dhe kohë të përshtatshme, hulumtimit dhe bashkëpunimit të nxënësve për realizimin e projektit.

VLERËSIMI I NXËNËSVE NË SKENARIN 3

Gjatë mësimit në distancë dy llojet e vlerësimit që rekomandohen më së shumti janë vlerësimi i vazhduar dhe vlerësimi i portofolit elektronik. /Nga L.Tanushi-tirananews.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here