Të gjithë kemi dëgjuar për Yogan, por shumë pak kemi informacionin e duhur përse kjo praktikë është kaq e frytshme për ne, por mbi të gjitha për të rritur fëmijë të shëndetshëm.
Instruktore Anilda Noçka në një intervistë për Tirananews.al, shpjegon se Yoga kompleton njerëzit në niveli psikologjik dhe fizik.

Anilda na shpjegon me përkushtim punën në studion e saj që e ka ndërtuar me shumë dashuri pas një qëndrimi të gjatë në Amerikë ku u njoh, u trajnua dhe apasionua pas Yogas.
Yoga praktika që kthehet në stil jete, sipas Anildës, na ndihmon ta shohim jetën me më shumë pozitivitet, të rrisim besimin në vetvete dhe të përballemi më lehtë me sfidat e jetës.
Grupmosha që frekuenton më shumë studion e saj janë fëmijët, kjo për shkak të problemeve që kanë fëmijët për shkak të mënyrës së jetesës në ditët e sotme. Jo vetëm kaq, por instruktore Anilda na shpjegon se fëmijët që ndjekin kursin e Yogas rriten me një vetëbesim më të lartë.

Ju drejtoni një nga studiot kryesore të Yogas në Shqipëri, si e morët këtë vendim?
Yoga është një pasion i imi, i cili lindi në mënyrë shumë spontane gjatë kohës që jetoja në Amerikë dhe nuk e kisha menduar ndonjëherë që do të bëhem instruktore e Yogas, ishte thjeshtë një rrjedhshmëri e jetës dhe e situatave të ndryshme që ndodhën në jetën time. Në një moment të caktuar Yoga u kthye në një shtyllë kryesore, ose një themel kryesor që më mbante në të gjithë stabilitetin tim si person, si njeri, si profesioniste dhe në momentin që njeriu gjen një stabilitet që vjen nga brenda, nga puna individuale që bëhet në tapetin e Yogas dhe jashtë, aty e kupton se sa e rëndësishme është balanca e brendshme e çdo individi. Në momentin që ndihesh mirë dhe e arrin këtë stabilitet ke dëshirë që ta ndash edhe me të tjerët që kapen në vorbullën e jetës dhe harrojnë të fokusohen tek vetja.
Ne shpesh jemi të fokusuar ndaj punës, familjes dinamikave të jetës dhe harrojmë që gjerat e vogla na bëjnë të buzëqeshim, kjo është edhe arsyeja pse të gjithë njerëzit e pasur në një moment të caktuar i kthehen pas jetës shpirtërore.

Çfarë është Yoga?
Yoga është një praktikë, jo sport sepse nuk ka kompeticion. Është një praktikë që ne bëjmë me vetveten, midis nesh dhe vetes sonë, është një praktikë që vazhdon jo vetëm gjatë kohës që ne jemi në klasë duke praktikuar apo duke u marrë me praktikën e Yogas në tapet, por është ajo eksperiencë, ndjesi, apo energji që ne pastaj përcjellim me veten tonë gjate gjithë ditës. Ka të bëjë me pozitivitetin me mënyrën e shikimit të gjërave, ndryshon mënyrën dhe vizionin se si ne shohim jetën, si shohim raportet më njerëzit, raportin me veten, respektin për veten dhe automatikisht këtë respekt e transmetojmë drejt njerëzve të tjerë që na rrethojnë.
Nëse fillojmë të praktikojmë Yogan kur fillojmë të ndjejmë rezultatet?
Praktika e Yogas prandaj quhet praktikë, është një eksperiencë që sa më shumë të praktikohet aq më shumë, jep efektet pozitive. Është me e vështirë kur ne e nisim me pritshmëri shumë të larta.
Një nga sekretet e Yogas është të pranosh veten ashtu si je me gjërat pozitive dhe negative, duke e lënë mënjanë gjykimin që kemi ndaj vetes. Sa më shumë kemi pritshmëri aq më shumë Yoga bëhet kundra peshë e asaj që duam të arrimë. Kur jemi në paqe me vetveten kjo peshë zbutet.
Jeta në ditët e sotme është me shumë stres, jeta ecën me ritme shumë herë më të shpejta se sa ne si individë përpiqemi ta ndjekim dhe shpesh nuk e kapim dot. Dhe një njëri që praktikon Yoga është më i lirshëm arrin të gjejë një paqe nga ana shpirtërore dhe mendore.
Po ashtu jeta sedentare është një nga sëmundjet e shekullit 21, Yoga na vjen shumë në ndihmë, pasi na çliron trupin, na vë të gjithë muskujt në lëvizje. Yoga mund të quhet frymëmarrje.

Cilat janë grupmoshat që frekuentojnë Yogan?
Ne kemi klasa edhe me prenatal, ku nënat prezantojnë fëmijët me Yogan dhe frymëmarrjen që në barkun e tyre, me lëvizjet e ndryshme që qetësojnë si nënë dhe fëmijën.

Sigurisht vendin kryesor e zënë të rriturit nga mosha 25 deri në 50 vjeç, por gjithmonë e më në rritje është grup- mosha nga 12 deri në 17 -vjeç.
Mënyra se si fëmijët po rriten i bën ata që të kenë probleme me posturën, pasi ata me sa kuptohet nuk bëjnë sa duhet aktivitet fizik në shkollë. Ata kalojnë shumë kohë para celularëve dhe kompjuterave, çka i detyron të mbajnë një qëndrim jo të duhur të trupit. Luajnë më pak në natyrë. Megjithatë në ditët e sotme ky është një problem ndërkombëtar. Skolioza dhe dëmtimet vertebrale të shpinës janë problem shumë evident dhe kështu që prindërit i sjellin gjithmonë e më shumë fëmijët në Yoga.
Por jo vetëm kaq, Yoga u rrit fëmijëve besimin tek vetja dhe kontrollin ndaj trupit, u jep një pavarësi, jo vetëm fizike, por edhe emocionale.
Kështu fëmijët kanë më shumë mundësi të jenë të lirë të shprehin ndjesitë e tyre, por në të njëjtën kohë të jenë të lirë të qëndrojnë në këmbët e tyre përpara çdo lloj situate.

Çfarë duhet të dimë për të zgjedhur kursin e duhur të Yogas?
Unë do të sugjeroja që të mos ndalojnë vetëm tek një studio, ata duhet të testojnë disa raste dhe me vlerësimin e tyre të bëjnë vlerësimin e tyre. Ata duhet të pyesin të kërkojnë të ndihen mirë. Jo gjithmonë certifikata, është gjithçka. Dua të theksoj se ka mësues shqiptar shumë të mirë të Yogas. Është miti që duhet të jenë të huaj, por jo, ka shqiptarë shumë profesionistë. Pastaj ambientet janë të ndryshme Yoga mund të zhvillohet në studio, natyrë si parqe apo edhe në ujë.

Ju në studion tuaj keni edhe një aparaturë të veçantë, për çfarë shërben?
Kjo është Krijosauna dhe shërben për rikuperimin fizik të muskujve dhe kockave. Në Shqipëri gjendet vetëm në zyrën tonë. Është në formën e dushit dhe përmban Nitrogjen. E përbashkëta që ka me Yogan lidhet me pjesën e rikuperimit. Pasi ne këtu vendosim shumë muskuj në punë. Krijoterapia është diçka që klientët e pëlqejnë shumë pasi ndalon inlamacioniet që në momentet e para. Po ka edhe nga ata që e kanë kthyer në mënyrë jetese, pasi pastron të gjithë sistemin limfatik, pra shkarkon toksinat.
Sa na kushton Yoga, ka mundësi çdo kategori ta frekuentoj?
Yoga na kushton aq sa na kushtojnë kafet që pimë në lokalet e Tiranës në ditë. Ka një pagese normale mujore. Yoga na kushton një kafe më pak në ditë./Tirananews.al/
Anilda Noçka
Studio: Baptiste Power Yoga Albania
Nr. kontakti: 0686381745