Pas nisjes së punimeve për furnizimin me ujë të 17 fshatrave në njësitë administrative Derjan, Rukaj e Macukull ka nisur puna për ndërtimin e rrjetit të ri të furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit të Burrelit dhe rrethinave të tij.
Mësohet se projekti i këtij investimi serioz është hartuar nga Bashkia e Matit dhe financuar nga Agjensia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve Tiranë.
Projekti sipas zyrtarëve të Bashkisë Mat përfshin ndërtimin e rrjetit të ri në të gjithë qytetin e Burrelit, rrethinave të tij e përfshin lagjen e Re, lagjen “Kolaj”, lagjen “Allmetaj”, një pjesë të fshatit Shoshaj e atij Mallunxë. Po ashtu puna ka nisur për ndërtimin e depos së re cila do të jetë në vendin ku ka qenë depoja e vjetër, tek “Kodra e Palit”. Kjo depo do të ketë një kapacitet prej 3500 metër kub ujë dhe furnizimi i saj do të bëhet me ujësjellësin e Vinjallit e atë të Zall-Gjoçajve.
Për herë të parë që nga ndërtimi i ujësjellësit të Vinjollit furnzimi i konsumatorëve me ujë të pijshëm do të realizohet nga lart poshtë, për të bërë të mundur që çdo banorë i Njësisë Administrative Burrel e zonat e tjera të përfshira të kenë ujë pa ndërprerje.
