Për herë të parë, ish-ambasadori Mal Berisha, tashmë anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, ka rrëfyer atë që i tha zv.ndihmës/sekretari amerikan i shtetit, Methju Palmer më 30 prill të vitit 2019.
Ai tregoi se ka qenë te DASH në fund të prillit 2019 dhe zyrtari amerikan i ka treguar për bisedën që ka bërë me Bashën në lidhje me djegien e mandateve
“Jam dëshmitar i një akti personal, por jo pa dijeninë e Bashës. Kam hyrë në Departamentin e Shtetit më 30 prill 2019 dhe kam pasur përballë Philip Reeker, Matthew Palmer, Bob Pfeiffer dhe Gathe West. U kam paraqitur një ‘power point’ në një letër dhe u kam thënë në anglisht që po qaj për vendin tim, Shqipërinë. I vetmi vend pa Gjykatë Kushtetuese. Kur shkova te pika e pestë më thanë ‘stop, ne i dimë të gjitha’. U thashë që nuk ka shanse që këto të ndodhin në një vend pro-amerikan dhe ju ta lejoni. Më thanë: Pyete zotin Palmer se çfarë bisede ka bërë me Bashën një ditë para se të largohet nga Parlamenti. ‘Ne u thamë që po dolët nga institucionet, nuk ju mbështesim’. Basha i ka thënë që ‘rri pa merak, nuk do të ndodhë’.
Por të nesërmen dolën nga Parlamenti. Është më 30 prill 2019, në DASH, në orën 5 a 6 pasdite. Jam tronditur, por nuk jam treguar luftarak për të dalë e për ta thënë publikisht”, tha Berisha.
Ish-ambasadori mohon të ketë qenë Sali Berisha pas veprimeve dhe vendimeve të Lulzim Bashës në Partinë Demokratike.
Sipas tij, PD ishte në fazën oportuniste, sot po kthehet në parti opozitare. Mbështetja nga Perëndimi nuk është evidente: “Duket, por nëse kemi mbështetjen e popullit do jemi atje ku duhet”.
Ai vlerësoi edhe transformimin politik të Sali Berishës.