Një ditë më parë minatorët protestuan para kryeministrisë, për plotësimin e kërkesave të tyre. Ish deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, i cili kur ishte në Kuvend inicioi dhe një projektligj për minatorët, por që u rrëzua nga maxhoranca, thotë se ata duhet të bëhen bashkë kundër Edi Ramës.
Në një status në Facebook, Spahiu thotë se Rama i mashtroi në opozitë, dhe vazhdon t’i mashtrojë edhe në këto gjashtë vite të qeverisjes.
“Minatorët duhet të bëhen bashkë dhe protestojnë fortë kundër Edi Ramës. I mashtroi kur ishte në opozitë, duke firmosur dhe kontratë me sindikatat se gjëja e parë që do të bënte kur të vinte në pushtet do të ishte miratimi i Statusit, vazhdon dhe mashtron akoma, edhe në vitin e gjashtë të qeverisjes”, thotë Spahiu.
Minatorët kërkojnë miratimin e statusit, rritjen e pagave dhe leje vjetore me të drejtë page. Gjithashtu ata kërkojnë kontrolle shëndetësore dy here ne vit dhe pa pagesë, duke pasur parasysh se minatorët vuajnë nga sëmundje profesionale, si dhe rimbursim të ilaçeve 100 për qind.