Prej 9-muajsh ish-efektivi Santiago Malko i ekzekutuar në mënyrë mafioze mbrëmjen e 22 Gushtit ishte emëruar si inspektor pyjesh në Dajt.
26-vjeçari ishte një person nën hetim për disa ngjarje të rënda kriminale në Tiranë dhe Durrës, si edhe i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe plagosje me dashje.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur për Abc Neës se prej janarit të 2019-së, ai nuk ishte paraqitur asnjë ditë të vetme në punë, ndërkohë që pagesat kryheshin normalisht në llogarinë e tij bankare.
Për këto arsye po hetohet edhe praktika e ndjekur në rastin Malko. Për t’u punësuar në administratën shtetërorë dëshmia e penalitetit është kriteri kryesor. Ajo duhet të jetë e pastër për aplikuesit për një vend pune ose personi duhet të jetë i rehabilituar pas dënimit të kryer.
Dyshohet se Malko ka falsifikuar dosjen e tij për dëshminë e penalitetit, duke e deklaruar atë të pastër në drejtorinë e burimeve njerëzore në Inspektoriatin e Mjedisit dhe Pyjeve.
Policia e ka referuar dosjen për ekzekutimin e ish-efektivit pa autor në Prokurorinë e Tiranës. Grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e më shumë se 40 kamerave të sigurisë të bizneseve në të gjithë gjatësinë e rrugës “Xhenfize Keko” për të bërë të mundur zbulimin dhe identifikimin e autorëve në vrasjen e 26-vjeçarit.
Po kështu rezultoi se në krim u përdor vetëm një armë zjarri tip automatik Kallashnikov model 54, ndërsa arma e tjetër nuk ka kryer qitje sipas ekspertëve të kriminalistikës.
Ndërkohë u përdorën dy automjete për të kryer ekzekutimin e të riut në zonën e Porcelanit. Hetimet për vrasjen e Malkos janë përqendruar kryesisht në larje hesapesh mes grupeve rivale.
/Abc Neës/