Tirana pësoi ditën e djeshme humbjen e parë të sezonit teksa u mposht nga Teuta me rezultatin 0-1. Këtë sezon durrsakët konsiderohen një rival direkt i bardhebluve për titull dhe disfata lë një shije të hidhur.
Ndërkohë, teksa komentoi rreth sfidës në emisionin Fair Play, ish-futbollisti i Tiranës, Rezart Dabulla u shpreh se kryeqytetasit do ta kenë të vështirë të ruajnë titullin me organikën aktuale, duke përcaktuar si thelbësore moszëvendësimin e duhur të Majkëll Ngo.
“Tirana nuk ka një pykë kryesore. Ose do të luajë Muçi, ose Avdiaj. Nuk e di sa të zotë do të jenë për të mbajtur peshën kryesore në sulmin e Tiranës. Largimi i Ngo prish punë, por Tirana duhet të merrte masat për ta zëvendësuar. Tirana ka marrë disa lojtarë, por asnjë nuk është në staturën e Ngo. Do të jetë mjaft e vështirë për Tiranën që me këtë organikë që ka të ruajë titullin kampion”, u shpreh Dabulla.
