Kandidatura e Agron Malajt për bashkinë e Matit është polemizuar në media këto ditë, si gardist në ngjarjet e 21 janarit, por kryeministri Edi Rama ka sqaruar për herë të parë rolin e Malajt në protestën e 8 viteve më parë.
“E vërteta është që siç thoni dhe ju Agron Malaj ka qenë pjesë e Gardës së Republikës dhe ka qenë pjesë e atij grupi, por është e provuar katërcipërisht jo pjesërisht, po katërcipërisht që nuk ka marrë pjesë në asnjë moment, në asnjë shkelje të ligjit. Dhe ju që merreni me informacionin keni të gjithë të drejtën, po dhe detyrën që përpara se sa t’i vendosni njerëzit në një kornizë shabllone të investigoni këtë. Investigoni për këtë, unë i kam bërë investigimet e mia. Është e vërtetë që është larguar si shumë të tjerë, po nuk është i larguar si shumë të tjerë për të konfirmuar fajësinë morale në këtë rast, se fajësinë penale e jep gjykata, por për t’i dhënë mundësi transparencës për gjithë procesin dhe nga transparenca e gjithë procesit rezulton komplet e kundërta. Kështu që shumë faleminderit më jep mundësinë ta sqaroj dhe këtë se bëhet shumë propagandë”, sqaroi kryeministri Rama.
Ai tha se Malaj ka qenë pjesë e Gardës së Republikës, dhe u lirua nga detyra nga ish ministri Tahiri pikërisht për ti dhënë mundësinë e transparencës për gjithë procesin për 21 janarin.
“Në cilën sferë të imagjinatës mund të shkoja unë, apo të shkonim ne për të vendosur, për të pranuar njëherë në radhë të parë, në lidershipin lokal të PS një person që do të ishte faktor qoftë dhe moralisht në 21 janar,. Jo. E kundërta është e vërtetë. Ka qenë ndër ata njerëz që kanë informuar imtësisht për 21 janarin. Që ta dini dhe këtë. Kështu që jam shumë i qetë në këtë drejtim, sepse nuk ka asgjë këtu. Nuk është se gjithë dynjaja që erdhi këtu dhe në protestën e të shtunës, nuk janë të gjithë ata që vijnë njerëz që janë fajtorë? S’mund të them kurrë që një pjesë e atyre që ishin dhe këtu përpara kryeministrisë, kur hidheshin bomba molotov janë huliganë. Jo nuk janë. Huliganë janë ata që bëjnë sjellje huligani”, tha ai.
Rama shtoi më tej se nuk janë të gjithë njësoj, duke bërë paralelizëm të protestës së socialistëve më 21 janar dhe protestave sot. Po të ishim të gjithë njësoj tha Rama, sot do të kishte një marshim funebër. “Po të ishim të gjithë njësoj sot këtu do të ishte duke u bërë një marshim funebër para kryeministrisë, jo konferencë, po marshim për të vrarë. Nuk jemi të gjithë njësoj, se po të ishim të gjithë njësoj në spitale e shpija do të kishte mbi 40 të plagosur me armë zjarri nga dita e shtunë. Po të ishim të gjithë njësoj do të ishte mbi 150 persona të dëmtuar fizikisht nga policia. Dhe fakti që nuk jemi njësoj tregohet edhe kur për tre shkopinj gome mbi shpinën e Sahit Dollapit bëhet nami. Bëhet nami sepse nga ne pritet të jemi gjithmonë më mirë se sa jemi, kurse nga ata thuaj faleminderit me kaq se mund të kishin vrarë dhe 15 veta. Po të ishim njësoj do ishim në të njëjtën situatë që ishim mbas 21 janarit”, tha më tej kryeministri.
