Në qytetin e Nju Jorkut, ish-kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, është nderuar me titullin “Qytetar Nderi”, me vendim të Këshillit Bashkiak, gjatë një ceremonie të veçantë të organizuar në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Shtetësisë së Malit të Zi.
Vendimi u mbështet nga disa anëtarë të Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, mes tyre David M. Carr, Kamillah M. Hanks, Christopher Marte, Frank Morano, Justin Sanchez dhe Phil Wong.
Më 23 qershor, në selinë e Parlamentit të Nju Jorkut u zhvillua një ceremoni solemne kushtuar shtetësisë së Malit të Zi, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, anëtarë të diasporës malazeze dhe përfaqësues të komuniteteve të ndryshme.
Gjatë fjalës së tij, Abazoviç theksoi se angazhimi i tij publik ka qenë gjithmonë i përqendruar në ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes popujve dhe identiteteve të ndryshme, si dhe në promovimin e vlerave universale dhe bashkëjetesës.
Ai u shpreh krenar për Malin e Zi dhe për diasporën e tij, duke vlerësuar kontributin e saj në përfaqësimin pozitiv të vendit në arenën ndërkombëtare.
“Pishtari le të digjet përjetësisht mbi Statujën e Lirisë në emër të të gjithë njerëzve të mirë që duan paqe dhe prosperitet, por edhe që mbrojnë drejtësinë dhe barazinë”, u shpreh Abazoviç, duke theksuar se këto janë vlerat mbi të cilat Mali i Zi duhet të ndërtojë të ardhmen e tij.
