Futbolli shpreson që të vihet në lëvizje që pas ditës së nesërme, kur një tryezë e rrumbullakët mes shtetit dhe aktorëve të këtij sporti në vendin tonë, të sjell fundin e bojkotit të gjyqtarëve që e lka paralizuara, për këtë çështje, shumë figura të sportit apo që qëndrojnë afër tij kanë dhënë mendimet e tyre rreth kësaj situate.
“Mendoj se është një proces i cili do të kalojë së shpejti, duke gjetur gjuhën e përbashkët dhe duke vijuar garën në lojën më të bukur, futbollin. Gjithmonë jemi të përgatitur për çdo lloj situate. Do ta kthejmë çdo aspekt të saj në një aspekt pozitiv për klubin tonë”, u shpreh Olsi Rama, drejtori i Partizanit, për “Ora Neës”.
“Klubet janë pajtuar me këtë vendim”, u shpreh Skënder Gega. “Besoj dhe shpresoj që t’i bëjë mirë. Ditët kalojnë shumë shpejt. Ne jemi stërvitur për shumë arsyeje. Edhe na ka shërbyer, pasi ka pasur ndoshta edhe probleme, megjithatë duhet ta fillojmë garën bashkë dhe gjërat të mos përsëriten. Duhet të jemi më optimistë për të ardhmen. Unë jam për një shtet të fortë. Edhe Federata brenda shtetit besoj se do të gjejë një bashkëpunim dhe secili të marrë përgjegjësinë e vet. Por edhe ne si pjesë e futbollit të jemi shembull dhe duhet të japim edhe mesazhet e “Fair Play” sepse sporti duhet të na bashkojë dhe jo të na ndajë”, deklaroi trajneri i të kuqve.
Ndërkohë, ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, mendon se futbolli shqiptar ka kohë që vuan. “Futbolli mos mendoni se është vrarë në 24 orët e fundit. Futbolli ka vite që vritet çdo ditë. Shqipëria nuk e ka luksin që të trajtohet me stjuardë sikurse janë vendet e tjera. Janë vite drite larg”, deklaroi ai.