Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në kuadër të një procedimi penal që po hetohet nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe në zbatim të vendimeve gjyqësore përkatëse, ka ekzekutuar masat e sigurimit personal ndaj shtetasve Glodian Ahmetaj, Klevis Hoxha dhe Devis Ago.
Sipas vendimit të gjykatës, ndaj shtetasit Glodian Gëzim Ahmetaj është vendosur masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, duke iu ndaluar largimi nga territori i Republikës së Shqipërisë dhe duke iu kërkuar dorëzimi pranë Policisë Gjyqësore i dokumenteve të vlefshme për kalimin e kufirit.
Për shtetasin Klevis Hoxha, gjykata ka caktuar masat “Paraqitja në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Ai duhet të paraqitet pranë Policisë Gjyqësore në javën e parë të çdo muaji, të hënën në orën 11:00, si edhe të dorëzojë dokumentet e udhëtimit sipas urdhërimeve të vendimit gjyqësor.
Ndaj shtetasit Devis Ago është vendosur masa “Paraqitja në Policinë Gjyqësore”, me detyrimin që të paraqitet javën e parë të çdo muaji, ditën e hënë në orën 12:00.
Gjatë operacionit janë zbatuar të gjitha detyrimet e përcaktuara nga gjykata. Gjithashtu, me urdhër të organit procedues, janë kryer tre kontrolle në banesa për sigurimin dhe administrimin e provave që lidhen me hetimin.
Shtetasit Glodian Ahmetaj, ish drejtor dege në AMP, dhe Devis Ramadan Ago, ish shef sektori në AMP, janë subjekt i këtij procedimi penal dhe i masave të sigurisë të vendosura nga gjykata.
