Ylli i Liverpool, Mohamed Salah ka folur së fundmi për ceremoninë e çmimit të “Topit të Artë”. Herën e fundit, egjiptiani u rendit në vendin e shtatë në listën për të fituar trofeun më të rëndësishëm në nivel personal për futbollistët. Çmimi u rrëmbye nga argjentinasi i PSG-së, Lionel Messi i cili u shpall për të shtatën herë si lojtari më i mirë në botë.
Në fillim të gjithë besonin se ai do ishte pjesë e treshes favorite për ta fituar “Topin e artë”, por në fund u zbulua se ai ndodhej pak larg në renditje. “Daily Mirror” shkruan se Salah tani e pranon se atëherë besonte në një renditje më të lartë në listë.
“Më tronditi. Askush në botë nuk priste që unë të isha i shtati, por kështu ndodhi. Nuk e di se mbi çfarë u bazua zgjedhja e tyre, por nuk besoj në asnjë teori konspirative. Nuk e kam ndjenjën se ka ndonjë gjë personale kundër meje. Kështu duket realiteti”, tha Salah.
Këtë sezon, Mohamed Salah ka shënuar 27 gola dhe dhjetë asistime në 32 paraqitje në Premier League.
