Një shtetas shqiptar është arrestuar në Bari, Itali, nga policia italiane pas një kërkimi ndërkombëtar që ka zgjatur për pesë vjet. 38-vjeçari u kap nga efektivët e Skuadrës Fluturuese të Komisariatit të Policisë Bari, pas hetimeve që zbuluan një shënim gjurmimi Shengen në sistem.
Përmes verifikimeve, Shërbimi i Bashkëpunimit Policor konfirmoi se ndaj tij ishte në pritje një urdhër-arresti europian. Shtetasi shqiptar është i dyshuar për kryerjen e nëntë vjedhjeve të ndryshme në veri të Gjermanisë, ku janë vjedhur sende dhe para me vlerë rreth 140 mijë euro.
Në Gjermani, ai do të duhet të përballet me akuzat për vjedhje të rëndë dhe do të dalë para drejtësisë. Pas procedurave ligjore, i arrestuari është dërguar në burgun e Barit, ku do të qëndrojë deri në përfundimin e procedurave të ekstradimit.