Dy shqiptarë janë arrestuar nga karabinierët në Chieti të Italisë, pasi në mjetin e tyre u gjet një sasi prej 3.5 kg kokainë.
Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për H.K, 26 vjeç nga Durrësi, por banues në Emilia Romagna. Ai u ndalua gjatë natës në San Salvo për një kontroll.
Sasia e kokainës u gjet në makinën e tij tip “Mercedes Class B”, e fshehur në sediljen e pasme. Ndërkohë që u arrestua dhe një shqiptar tjetër, pasagjer në mjet, i identifikuar si F.C., 30 vjeç.
Këtij të fundit iu gjet dhe një sasi e madhe parash, dhe mediat italiane shkruajnë se kishte rolin e raportuesit. Droga e konfiskuar kapte një vlerë tregu prej 500 mijë eurosh.