Kryeministri italian Mario Draghi ka dhënë dorëheqjen e tij pasi partneri i koalicionit populist “Pesë Yjet” tërhoqi mbështetjen në një votëbesim.
Ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane ka udhëhequr një qeveri uniteti që nga shkurti i vitit 2021. Në një deklaratë, ai tha se pakti i besimit që kishte mbështetur qeverinë e unitetit ishte zhdukur. Megjithatë, presidenti nuk pranoi dorëheqjen e tij. BBC shkruan në një artikull të saj se tashmë Italia është në krizë.
Presidenti Sergio Mattarella emëroi Draghi për të udhëhequr rimëkëmbjen e Italisë pas pandemisë dhe për të shpëtuar vendin nga paqëndrueshmëria. Ai tani i ka bërë thirrje z. Draghi t’i drejtohet parlamentit për të dhënë një pamje të qartë të situatës politike.
Efekti i ndërhyrjes së Presidentit Mattarella nuk është plotësisht i qartë. Draghi pritet të shkojë në parlament të mërkurën e ardhshme dhe me mbështetje të mjaftueshme mund të qëndrojë në detyrë.
Zhvillimet e jashtëzakonshme në Romë mbyllën një ditë drame të shkaktuar kur udhëheqësi i “Pesë Yjeve”, Giuseppe Conte refuzoi të mbështesë paketën e ndihmës ekonomike të qeverisë prej 23 miliardë eurosh për familjet dhe bizneset, duke argumentuar se Draghi nuk po bënte mjaftueshëm për të përballuar koston e krizës së jetesës.
Edhe pse qeveria fitoi me lehtësi votimin e së enjtes në Senat me ndihmën e partive të tjera, njeriu i quajtur “Super Mario” kishte paralajmëruar vazhdimisht se pa mbështetjen e “Pesë Yjeve” qeveria nuk mund të vazhdonte.